
Kur vie dita e enjte, padyshim se na kujtohet edhe Liga e Evropës, e në kuadër të këtij kompeticioni, sonte luajnë dy gjigandët e futbollit evropian, Barcelona dhe Manchester United.
Ndeshja e cila luhet në stadiumin “Camp Nou” është ndeshja e parë e 1/16 së finales, ndërsa ndeshja e dytë, ajo e kthimit luhet një javë më vonë në “Old Trafford” të Manchester United.
Hera e fundit që këto dy ekipe u përballën në Evropë ishte në sezonin 2018/19 të Ligës së Kampionëve, me “Blaugranët” që dolën fitues.
Në përgjithësi, këto dy ekipe janë ballafaquar në 13 takime në Evropë, prej tyre 10 janë në Ligën e Kampionëve e tri në European Cup Winners’ Cup.
Përgjatë historisë në Ligën e Kampionëve mes këtyre dy klubeve, Barcelona ka 5 fitore, Mancehster United ka 3 fitore, ndërsa 2 ndeshje tjera kanë përfunduar me barazim.
Barcelona hyn në këtë ndeshje pas fitores në vikend ndaj Villarrealit në “El Madrigal” me rezultat minimal 0-1. Fundjavë të mirë kishte edhe Manchester United, të cilët arritën fitore si mysafir ndaj Leeds United me rezultat 0-2.
Barcelona është pjesë e Ligës së Evropës pasi ra nga grupet e Ligës së Kampionëve. Katalunasit ishin në një grup me Bayern Munich, Inter dhe Viktoria Plzen.
Në anën tjetër, Manchester United është kualifikuar në këtë faze pasi ishte pjesë e grupeve të këtij kompeticioni. Në grup me “Djajtë e Kuq” ishin edhe Real Sociedad, Sheriff Tirasspol dhe Omonia.
Mungesat në taborin e Barcelonës janë Sergio Busquets dhe Ousmane Dembele, të dy shkaku i lëndimit.
United ka një listë të gjatë mungesash, duke përfshirë: Antony, Eriksen, Martial, McTominay, van de Beek shkaku i lëndimeve, ndërsa Lisandro Martinez e Marcel Sabitzer mungojnë shkaku i kartonave.