
Raporti: Val Ajazi / Kanal10
Banorët e fshatit Bardhaniq të Gjakovës ankohen për mungesë të investimeve nga Komuna. Ata thonë se përballen me mungesë të ujit të pijes, si dhe nuk ka investime infrastrukturore në fshat. Sa i përket mungesës së ujit, nga kompania e ujësjellësit kanë thënë se e kanë gati projektin, derisa për rrugën nuk ka kthyer përgjigje komuna, shkruan Kanal10.
Pa ujë të pijes e pa rrugë të asfaltuara, është përditshmëria e banorëve të fshatit Bardhaniq të Gjakovës.
Ata thonë se përballja me një situatë të tillë, i ka bërë të ndihen të anashkaluar nga institucionet lokale dhe qendrore.
Për këtë gjendje, banorët e lagjes “Kajtazaj” thonë se janë ankuar disa herë, por që kërkesat e tyre nuk janë marr parasysh.
Sa i përket mungesës së ujit të pijshëm, nga Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Gjakova” kanë thënë se projekti është i gatshëm, por u duhen bashkëfinancim me Komunën e Gjakovës, pasi nuk kanë buxhet të mjaftueshëm.
“Projekti është i gatshëm, i ideuar nga inxhinieret e KRU “Gjakova” së bashku me paramasën dhe procedura të tjera, mirëpo jemi në bisedime me Komunën e Gjakovës që të arrijmë një marrëveshje bashkëfinancimi, sepse i gjithë projekti nuk mundë të realizohet vetëm nga ujësjellësi, marrëveshje e cila ende nuk është arritur me Komunën e Gjakovës.”, tha Dafina Syla – Zëdhënëse e KRU “Gjakova”.
Kanal10 ka dërguar pyetje në Komunën e Gjakovës për të dy shqetësimet e banorëve të këtij fshati, por zyrtarë komunalë nuk kanë kthyer përgjigje.