Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

BE: Sundimi i ligjit, kyç për integrimin e Kosovës

Gazeta10
21 May 2026 - 13:00

Në prezantimin e pyetësorit rajonal për drejtësi, të financuar nga Bashkimi Evropian dhe të realizuar nga Banka Botërore në bashkëpunim me Ipsos Kosova dhe partnerë të tjerë, u theksua rëndësia e sistemeve funksionale të sundimit të ligjit në Ballkanin Perëndimor dhe roli i të dhënave në matjen e progresit në sektorin e drejtësisë.

Sipas prezantimit, pyetësori ka analizuar të dhëna të bazuara në përvojat dhe perceptimet e tri grupeve kryesore: qytetarëve dhe bizneseve si shfrytëzues të shërbimeve të drejtësisë, gjyqtarëve, prokurorëve dhe punonjësve të gjyqësorit si ofrues të tyre, si dhe avokatëve si ndërmjetësues.

“Jemi duke analizuar me kujdes të madh informatat e mbledhura prej këtij pyetësori sepse kjo flet për nivelin e kënaqshmërisë, efikasitetin, barazinë dhe pavarësinë e gjyqësorit. Dhe kjo na ndihmon që ta kuptojmë më mirë se si sistemi i drejtësisë funksionon praktikisht”, u tha gjatë prezantimit.

Po ashtu u theksua rëndësia e vlerës krahasuese rajonale për të parë pozitën e Kosovës në raport me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, si dhe krahasimi me të dhënat e vitit 2020 për të matur zhvillimet dhe përmirësimet në sistemin e drejtësisë.

“Komisioni Evropian i shfrytëzon këto informata për të matur progresin e reformës dhe për të informuar angazhimin tonë të mëtutjeshëm”, u tha më tej.

Sipas prezantimit, përveç këtij pyetësori, në vlerësimin e reformave përdoren edhe instrumente të tjera, përfshirë misionet e shqyrtimit të rasteve, monitorimin e gjykimeve, veçanërisht në rastet e korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar, si dhe raportet rajonale të progresit.

U theksua gjithashtu se përparimi në sundimin e ligjit dhe funksionimi i gjyqësorit mbeten elemente themelore në procesin integrues evropian të Kosovës.

“Objektivat afatmesme të Kosovës që të fillojnë negociatat për anëtarësim lidhen drejtpërdrejt me gjyqësorin dhe sundimin e ligjit”, u tha gjatë prezantimit.

Në fund u shpreh pritja për formimin e institucioneve pas zgjedhjeve dhe vazhdimin e reformave në kuadër të procesit të integrimit evropian.

“Shpresojmë që ky proces të udhëhiqet nga fryma e kompromisit në mënyrë që shumë shpejt Kosova të ketë institucione të cilat mund të përparojnë reformat e domosdoshme në kontekst të procesit të integrimit në BE”, u tha në përfundim.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.