
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka njoftuar sot Kryesinë e partisë për dorëheqjen e tij të parevokueshme nga drejtimi i saj, raporton Gazeta10.
Hamza tha se ky vendim i hap rrugë një procesi të ri zgjedhor brenda partisë, duke theksuar rëndësinë e përfshirjes së të rinjve dhe marrjes së përgjegjësive nga gjeneratat e reja.
Ai theksoi se përgjegjësitë e marra që nga viti 2020 kanë qenë në shërbim të PDK-së dhe Kosovës, ndërsa gjatë udhëheqjes së tij është përqendruar në ruajtjen e unitetit dhe besimit të anëtarëve e votuesve.
“Nuk po largohem nga PDK-ja. Po largohem vetëm nga pozita e kryetarit”, u shpreh Hamza, duke shtuar se do të mbetet anëtar dhe votues besnik i partisë.
Ai foli edhe për ish-udhëheqësit e UÇK-së në Hagë, duke shprehur zhgënjimin e tij dhe duke theksuar se përpjekjet për drejtësi do të vazhdojnë.
Në fund, Hamza falënderoi anëtarët dhe mbështetësit e PDK-së, duke theksuar se interesi i partisë dhe i vendit duhet të jetë mbi atë personal.
“E kam dashur dhe do ta dua PDK-në edhe pa e udhëhequr”, përfundoi ai./Gazeta10