Gazeta10

Beograd – Prishtinë – Tiranë: Si shpëtoi familja hebreje Altarac nga Holokausti

Historiani dhe gazetari i njohur, Durim Abdullahu përmes një shkrimi në Facebook, ka rrëfyer historinë e një familje hebreje e cila arriti të shpëtojë nga Holokausti falë bujarisë të shqiptarëve.

Historinë e plotë që tregon shumë për bujarinë e mikpritjen shqiptare mund të lexoni më poshtë:

Ky mindil i bardhë me simbolin shqiptar të shqiponjës dykrenare qëndisur në të bashkë me mbishkrimin “Kujtim nga Shqipnia”, i takonte një fëmiu hebre 7 vjeçar, Jasha Altarac, që arriti të shpëtonte nga Holokausti, falë bujarisë humane të shqiptarëve. Gjatë pushtimit të Jugosllavisë nga trupat gjermane në prill 1941, një bombë ra në një shtëpi në Sarajevë ku po strehohej familja hebreje Altarac, pasi ishin larguar si refugjatë nga Beogradi. Shpërthimi e vrau gjyshen dhe motren e Jashas, Lean. Pas varrosjes së tyre, prindërit e Jashas, Majer dhe Mimi (Merjana) Altarac u kthyen në Beogradin e pushtuar nga gjermanët.

Majer Altarac ishte një nga arkitektët më të shquar në Beograd para se të shpërthente Lufta e Dytë Botërore, pasi ai kishte zbuluar disa burime mermeri dhe gurësh të tjerë në gurore nëpër Jugosllavi, të cilët i përdorte në projektet e tij arkitekturore. Në fotografinë nr. 2, shihet karta e regjistrimit e Majer Altarac, lëshuar nga autoritetet gjermane në Bogradin e pushtuar nga nazistët, më 22 korrik 1941. Por që të mund të largohej me familje nga Beogradi, duhej që edhe gruaja e tij të kishte një dokument të tillë, që gjermanët ia lëshuan një muaj më vonë, më 27 gusht 1941 (foto nr. 3).

Në shtator ata u zhvendosën në Shkup, ku Majer Altarac shihet i fotografuar në tetor 1941, bashkë me një tjetër refugjat hebre nga Beogradi, David Amarilio (foto nr. 4). Një muaj pasi Shkupi u mor nën kontrollin e Bullgarisë, Majer e takoi një burrë shqiptar që e njihte me të cilin erdhi me gjithë gruan dhe djalin në Prishtinë. Atë kohë, Prishtina dhe shumica e territorit të Kosovës ishte nën kontrollin e italianëve, që këto territore shqiptare të “tokave të lirume”, ua kishin bashkuar Mbretërisë së Shqipërisë.

Në dhjetor të vitit 1941, refugjatët hebrenj të Prishtinës u mblodhën në një kamp të burgosurish tranzit, ku familja Altarac do t’i kalonte tetë muajt në vazhdim. Në një fotografi të datës 17 prill 1942, e shkrepur nga Mosha Mandil një tjetër hebre që me familje ishte në të njëjtin kamp, Majer është fotografuar me të birin Jasha në oborrin e burgut kamp të Prishtinës (foto nr. 5).

Tre javë më pas, më 10 maj, në një dalje jashtë kampit në qytet, Mosha e ka fotografuar edhe vajzën e tij Irenda Mandil, që rri pranë tre anëtarëve të familjes Altarac: Majerit, Mimit dhe Jashas (foto nr. 6).

Familja Altarac ishte ende në kampin e Prishtinës edhe gjatë verës së vitit 1942, siç e dëshmojnë edhe dy fotografi të tjera të shkrepura po nga Mosa Mandil në korrik, ku në njërën (foto nr. 7) shihet familja Altarac vetëm, kurse në tjetrën, ata të tre janë bashkë me refugjatë të tjerë hebrenj të kampit të Prishtinës (foto nr. 😎. Ato ditë korriku 1942, Mandil realizoi edhe një fotografi grupore, ku shihen mbi 50 refugjatë hebrenj në burgun kamp të Prishtinës, mes të cilëve dhe disa fëmijë si dhe një burrë hebre që mbante në kokë një plis, kapelen tradicionale shqiptare (foto nr. 9).

Në mars të vitit 1942, autoritetet gjermane kishin kërkuar nga italianët dëbimin e 51 hebrenjve në zonën gjermane. Italianët e ekzekutuan këtë kërkesë dhe të gjithë të depërtuarit përfunduan të ekzekutuar nga gjermanët. Mes të dëbuarve ishte edhe tezja e Jashas, Frida Barta bashkë me bashkëshortin dhe vajzën e saj, viktima të hershme të Holokasutit.

Qysh më 8 korrik 1942, në një dokument të lëshuar nga Batalioni IV i Karabinierëve “Lazio” me qendër në Prishtinë, 18 hebrenj autorizoheshin që të largoheshin nga kampi i Prishtinës dhe të zhvendoseshin më në thellësi të Shqipërisë. Siç është shkruar në këtë dokument: “Personat e cekur të rendit të sipërm, të internohen në kampin e Kavajës. Prandaj të kenë tranzit falas për në lokalitetin e përmendur.”

Në atë listë, nën numrat 11, 12 dhe 13 janë shkruar emrat: Altarac Mario; Altarac Mimi dhe Altarac Fasa. Dy nga emrat janë shkruar gabimisht të paktën si ortografi: Majerit i është shkruar emri si “Mario”, kurse të birit të tij Jashas, në vend të Jasa i është shkruar Fasa. Sidoqoftë, ky dokument i hapi çiftit Altarac dhe djalit të tyre rrugën e shpëtimit.

Familja Altarac e gjeti veten në kampin e Kavajës bashkë me katër familje të tjera hebreje: Mandili, Azriel, Ruchvarger dhe familjen Borger, siç shihen edhe në një fotografi të majit të vitit 1943. Ata u ndihmuan nga shqiptarët e zonës për të përballuar jetën e përditshme, siç e kujton edhe Jasha, përmes fjalëve të një bujku shqiptar që i kishte thënë: “Allahu e di që ne i fshehim hebrenjtë këtu dhe prandaj kemi nevojë për ushqim shtesë. Kjo është arsyeja pse ne kemi një vit të mirë korrjesh sivjet”.

Mes gjërave të asaj kohe që kanë mbijetuar për ta dëshmuar këtë histori, është edhe fletorja ku xhandarmëria italiane nënshkruhej, duke regjistruar paraqitjet e obligueshme ditore në komisariat të familjes Altarac. Ashtu siç ka mbijetuar edhe një kartë identiteti e falsifikuar, ku fotografia e Majer Altarac është vendosur kartën me të dhënat e një shqiptari me emrin Muharrem Bajram Hasani, i lindur më 21 nëntor 1901 në Prishtinë.

Nëna e Jashas, Mimi, shiste pulovra të thurur me dorë dhe në një rast kur ajo shkoi në Tiranë tu merrte përmasat trupore familjarëve të një blerëses shqiptare, klientja e saj e kuptoi se rrobaqepsja dhe familja e saj ishin hebrenj. Ajo ishte Ganimete Toptani dhe bashkë me të shoqin Aqif Toptanin, u lidhën me familjen Altarac dhe e ndihmuan atë në shumë mënyra.

Pas kapitullimit të Italisë fashiste në shtator 1943, Shqipëria u pushtua nga Gjermania naziste, gjë që për hebrenjtë e strehuar në Shqipëri, kjo do të thoshte rrezik shumë herë më i shtuar. Duke dashur ta ndihmonin dhe shpëtonin familjen Altarac nga gjermanët, Ganimete dhe Aqif Toptani e çuan atë në një pronë të tyre në Kamëz. Në një foto të shkrepur në gusht të vitit 1944, Mimi dhe Majer shihen me të birin e tyre Jashan në kopshtin e shtëpisë së Toptanëve në Kamëz.

Të paktën në dy raste, kur autoritetet gjermane i bastisën papritur, familja nikoqire Toptani e paraqiti familjen mysafire Altarac si një familje mike gjermane, meqë ata flisnin rrjedhshëm gjermanisht. Për të hequr çdo dyshim, familja Toptani e mbushi shtëpinë me simbole naziste. Babai i Ganimetes, kishte qenë ambasador i Shqipërisë në Vjenë dhe familja e saj kishte kulturë gjermanofone, çfarë ua lehtësonte komunikimin me autoritetet gjermane.

Në gusht 1944, shtëpia e tyre në Kamëz u bastis sërish pasi dikush kishte shtirë mbi një patrollë gjermane. Megjithëse nuk e arrestuan, gjermanët e urdhëruan familjen Altarac të kthehej në Tiranë. Tre muaj më pas, në nëntor 1944, gjermanët u tërhoqën dhe Shqipëria u bë vendi i parë në Europë që u çlirua me forcat e saj. Paskëtaj, familja Altarac u kthye në shtëpinë e tyre në Bograd, kurse në dhjetor 1948, Majer, Mimi dhe Jasha Altarac migruan në Izrael. Ata ishin ndër ata hebrenj që patën fatin t’i mbijetojnë Holokaustit.

Në përiudhën e Luftës së Dytë Botërore, kur hebrenjt ndiqeshin një për një, denoncoheshin dhe mblidheshin në geto apo kampe përqendrimi duke iu nënshtruar projekteve naziste të shfarosjes gjenocidale të Holokaustit, trevat shqiptare u kthyen në një nga hapësirat e pakta në Europë ku ata u mirëpritën dhe u ndihmuan jo vetëm nga njerëzit e zakonshëm por edhe nga autoritetet shtetërore shqiptare. Shqipëria ishte i vetmi vend në Europë ku pas luftës kishte më shumë hebrenj se sa para luftës: nga mbi 200 në mbi 2000. Që nga atëherë dhe veçanërisht pas vitit 1991, historitë e shpëtimit të hebrenjëve nga shqiptarët sikur kjo, u bënë çdo herë e më të njohura dhe nisën të gjurmohen e të studiohen duke u bërë subjekt librash të ndryshëm.

NË FOKUS

418182730_743633051288017_6642594476175055703_n
E dhimbshme: Kjo është gruaja që vdiq pasi u plagos me armë në Prishtinë, ishte kalimtare rasti
900-0-policia-naten-ne-shkoder-vrasje-972x579-1
E dhimbshme: Ky është i riu që u vra sonte në Prishtinë
Adriana-Matoshi-2-668x375-1
Adriana Matoshi në iftar me ish bashkëshortin dhe të birin
LAJMI-I-FUNDIT
Këta janë dy vëllezërit e dyshuar për vrasjen e rëndë në Prishtinë, ende në arrat
konf
Kështu nisi konflikti mes “Cucit” dhe vëllezërve Berisha që përfundoi me dy viktima në Kolovicë
850x600_ilustrim-shiriti-i-ndalimit-policia-e-kosoves-foto-Ridvan-Slivova-3-780x439-11619711563
Policia jep detaje për vdekjen e Triumf Feratit
vrasje
Dy meshkuj gjenden të pajetë në Prishtinë, policia jep detajet e fundit  
Tri
Personi që u gjet i vdekur në Gurrakoc është vëllai i kryetarit të Istogut