Zëvendëskryeministri i Parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, ka pritur në takim zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme, Shkëmbimit Tregtar dhe Bashkëpunimit e Veprimit Humanitar të Luksemburgut, Xavier Bettel.
Në takim u bisedua për marrëveshjen aktuale bilaterale mes dy shteteve tona, fushat e bashkëpunimit dhe projektet e përbashkëta të cilat po zbatohen bashkë edhe me ministritë tona.
“Në kuadër të këtyre fushave që mbulon marrëveshja jonë aktuale bilaterale me Luksemburgun, u diskutuan projektet rreth fuqizimit të të rinjve, trajnimit profesional (VET), përmirësimit të sistemit shëndetësor, digjitalizimit, mbështetjes së bizneseve dhe inovacionit, mbështetjes së tranzicionit tonë drejt energjisë së gjelbër. Gjatë takimit gjithashtu u theksua respektimi i parimeve demokratike dhe të drejtave të njeriut, sundimi i ligjit dhe qeverisja e mirë, si pjesë integrale të marrëveshjes. U përmend ndër të tjera si sukses nga kjo marrëveshje pajisja e kuvendit tonë me sistemin elektronik të votimit, e cila tashmë veçse ka përfunduar, përderisa komponentet e tjera janë në zbatim e sipër.”, thuhet në një njoftim nga Zyra për Komunikim e Qeverisë.