Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Brukseli pret ministerialin e NATO-s, Shqipëria në fokus të diskutimeve

Gazeta10
18 June 2026 - 11:06

Në selinë e NATO-s në Bruksel po zhvillohet ministeriali i ministrave të Mbrojtjes së vendeve anëtare, një takim që vjen në një moment të rëndësishëm për Aleancën, mes përpjekjeve për rritjen e kapaciteteve ushtarake, modernizimin e industrisë së mbrojtjes dhe përgatitjet për samitin e ardhshëm të NATO-s në Ankara.

Në këtë takim merr pjesë edhe Shqipëria, e përfaqësuar nga ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, duke u bërë pjesë e diskutimeve kryesore mbi sigurinë dhe zhvillimet strategjike të Aleancës, shkruan Tvklan.al.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka theksuar se vendet anëtare do të fokusohen në ndërtimin e një Evrope më të fortë brenda një NATO-je më të fuqishme, duke nënvizuar nevojën për më shumë forca ushtarake, rritje të investimeve dhe forcim të bazës industriale të mbrojtjes. Sipas tij, vendet evropiane dhe Kanadaja kanë rritur ndjeshëm shpenzimet e mbrojtjes gjatë vitit 2025, duke reflektuar një rritje të konsiderueshme të angazhimeve financiare brenda Aleancës.

Në agjendën e takimit përfshihen edhe diskutimet e Grupit të Planifikimit Bërthamor, përgatitjet për samitin e ardhshëm të Aleancës, si dhe mbledhjet e Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës, i cili bashkëdrejtohet nga Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar.

Një nga temat kryesore mbetet zbatimi i objektivit të ri të NATO-s për investimin deri në 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto në mbrojtje dhe siguri deri në vitin 2035, i miratuar në Samiti i Hagës, ku 3.5% e PBB-së parashikohet për kapacitetet ushtarake bazë dhe 1.5% për infrastrukturën kritike, sigurinë kibernetike dhe industrinë e mbrojtjes.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.