Sport

Carlo Ancelotti kandidat kryesor për stolin e Brazilit

Gazeta10
23 Mars 2023 - 15:40

Kombëtarja e Brazilit është në kërkim të një trajneri të ri. Emri që po lakohet më së shumti është ai i Carlo Ancelottit.

Siç raportojnë mediat braziliane, kontaktet e para mes Federatës së Brazilit dhe italianit janë bërë, dhe pritet fundi i këtij sezoni për t’u qartësuar më shumë gjërat.

Pozita e stolit të trajnerit te Brazili është vakant pas largimit të Tites. Ai dha dorëheqje pas eliminimit të Brazilit në çerekfinalen e Kupës së Botës ndaj Kroacisë në penalti.

Tite u emërua trajner i Brazilit në qershor të 2016-ës. Në vitin 2019 ai i udhëhoqi brazilianët drejt fitores së Copa Americas pasi mposhtën në finale kombëtaren e Perus me rezultat 3-1.

Ancelotti po konsiderohet profili i duhur për ta zëvendësuar atë,  me italianin që ka kontratë me Real Madridin deri në qershor të vitit 2024.

63-vjeçari nuk ka qenë asnjëherë në krye të një kombëtareje, përveç gjatë viteve 1992-1995 ku atëbotë ishte ndihmëstrajner tek Italia.

Momentalisht, në krye të kombëtares braziliane është Ramon Menezes, të cilit i është caktuar ajo detyrë vetëm përkohësisht, deri sa Federata të gjejë një zgjidhje permanente.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.