
Kandidatja për deputete nga Lëvizja Vetëvendosje, Arjeta Fejza, ka deklaruar se partia e saj do të vazhdojë të mbajë një qasje konstruktive në raport me proceset politike në vend, duke mos përjashtuar takime me asnjë subjekt politik.
E pyetur nëse ka ftesë për AAK-në lidhur me çështjen e zgjedhjes së presidentes, Fejza tha se për këtë temë do të ketë informacione në kohën e duhur, pas përfundimit të procesit të certifikimit të zgjedhjeve.
“Këto analiza sigurisht që do të bëhen dhe sigurisht që për këtë çështje do të ketë informacion me kohë. Tani është pak vështirë me fol deri sa të përfundon procesi i certifikimit të zgjedhjeve, por unë prapë po them, e tha edhe kryeministri, ne do t’i takojmë të gjithë. Lëvizja Vetëvendosje e ka pasur një qëndrim konstruktiv, të parin interesin e vendit, dhe vazhdojmë me qenë e përkushtuar në këtë drejtim”, tha Fejza.
Ajo theksoi se LVV-ja mbetet e përkushtuar ndaj interesit të vendit dhe dialogut me akterët politikë për çështjet me rëndësi shtetërore./Gazeta10