
Takimi mes kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dhe kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, i nisur sot në ambientet e Kuvendit të Kosovës, tashmë ka zgjatur rreth dy orë e gjysmë dhe ende nuk ka përfunduar.
Takimi, i cili po zhvillohet në kuadër të përpjekjeve për tejkalimin e ngërçit politik, pritet të fokusohet në çështjen e zgjedhjes së presidentit të ri të Republikës së Kosovës.
Ky është takimi i dytë mes Kurtit dhe Abdixhikut brenda pak ditësh, pas atij të 18 gushtit, ku po ashtu ishte diskutuar për situatën politike dhe mundësinë e gjetjes së një zgjidhjeje për zgjedhjen e kreut të shtetit.
Pritshmëritë janë që në takimin e sotëm të jenë diskutuar edhe emra konkretë për presidentin e ardhshëm. Nënkryetari i LVV-së, Glauk Konjufca, deklaroi gjatë ditës se partia e tij tashmë i ka emrat e caktuar për president, por pa i bërë ata publikë.
Kurti, para hyrjes në Kuvend, ishte pyetur nga gazetarët nëse në takim do të diskutoheshin emra konkretë për president. Ai kishte paralajmëruar se pas takimit do të dalin para mediave dhe do të japin informacione për përmbajtjen e diskutimeve.