
Skuadra e Chelseat, përmes një njoftimi në rrjetet sociale, ka njoftuar se ka arritur marrëveshje me Frank Lampard që ky i fundit të udhëheq skuadrën deri në fund të këtij edicioni.
“Ne jemi të kënaqur të mirëpresim Frankun në Stamford Bridge. Ne duam t’i japim vetes çdo shans për sukses dhe Frank ka të gjitha karakteristikat dhe cilësitë që na duhen për të na çuar në vijën e finishit.”, thuhet ndër të tjerash në komunikatën e lëshuar nga Chelsea.
Pozita e trajnerit tek “Blutë e Londrës” ishte vakant pas shkarkimit të Graham Potter disa ditë më parë.
Lampard edhe më herët ka qenë në krye të ekipit londinez, pasi i udhëhoqi ata për 18 muaj ku më pas u shkarkua shkaku i rezultateve të dobëta.
Në 84 ndeshje sa kishte timonin e skuadrës, ai arriti të fitojë 44 ndeshje barazoi në 15 prej tyre dhe humbi 25 sosh.
Lampardin e pret një punë e vështirë pasi javën e ardhshme do luajnë përballë Real Madridit në Ligën e Kampionëve në kuadër të çerekfinaleve.
Ndeshja e tij e parë pas rikthimit tek Chelsea do të jetë ajo të cilën klubi londinez e zhvillon ditën e shtunë në udhëtim ndaj Wolves.