Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Çitaku kërkon llogaridhënie pas vrasjes së Arlindës: Tetë gra të vrara këtë vit

Gazeta10
26 October 2026 - 8:37

Ushtruesja e detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka reaguar pas vrasjes së Arlinda Zekaj në Vitomiricë, e cila dyshohet se u vra nga kunati i saj.

Çitaku ka kritikuar dështimin e institucioneve për të mbrojtur gratë në rrezik, duke theksuar se Arlinda është gruaja e tetë e vrarë gjatë këtij viti.

Ajo ka kërkuar llogaridhënie dhe dorëheqje nga zyrtarët që kishin për detyrë ta mbronin viktimën, si dhe shqyrtim të rolit dhe veprimeve të secilit në zinxhirin institucional të përgjegjësisë.

Sipas Çitakut, ligjet, strategjitë dhe aktivitetet ndërgjegjësuese nuk kanë vlerë nëse nuk shoqërohen me masa konkrete për mbrojtjen e grave dhe me pasoja për ata që nuk i përmbushin detyrat e tyre.

Ajo ka theksuar se institucionet duhet të sqarojnë rrethanat e rastit, të identifikojnë përgjegjësit dhe të bëjnë të ditur se çfarë masash do të ndërmerren.

“Nuk mjaftojnë më deklaratat e ngushëllimit. Nuk mjaftojnë zotimet se do të bëhet më shumë. Duhet të dimë çfarë ndodhi, kush nuk e kreu detyrën dhe çfarë pasojash do të ketë”, ka deklaruar Çitaku.

Në reagimin e saj, ajo ka shprehur dhimbje për vrasjen e Arlindës dhe familjen e saj, duke kërkuar drejtësi dhe përgjegjësi institucionale.

“Jeta e një gruaje nuk mund të jetë çmimi i indiferencës, neglizhencës apo dështimit institucional”, ka theksuar Çitaku.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.