
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka kërkuar nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, përfshirë Albin Kurtin dhe Albulena Haxhiun, që të kthehen në sallën e Kuvendit dhe ta përmbyllin procesin e konstituimit, duke akuzuar pushtetin për shkelje të Kushtetutës.
Çitaku tha se marrëveshjet politike mes partive nuk mund të mbivendosen mbi Kushtetutën dhe se, sipas saj, të zgjedhurit e popullit kanë obligim që të konstituojnë Kuvendin dhe të themelojnë institucionet e vendit.
“Partia Demokratike e Kosovës ka qenë e qartë dhe konsistente në qëndrimet e saj. Në një demokraci parlamentare, dialogu dhe debati, pajtimet, mospajtimet politike janë normale. Por çfarë nuk është normale në një demokraci parlamentare, liberale, evropiane, është shkelja e Kushtetutës. Shkelja e Kushtetutës nuk guxon të shndërrohet në normë, në normalitet. Marrëveshjet politike mes partive politike, palëve të ndryshme nuk i mbivendosën Kushtetutës. Kushtetuta është mbi çdo parti, mbi çdo takim, mbi çdo ide. E Kushtetuta kërkon nga ne të zgjedhurit e popullit që të konstituojnë Kuvendin dhe të themelojnë institucionet”, theksoi ajo.
Çitaku tha se kanë kaluar 555 ditë nga zgjedhjet e shkurtit të vitit 2025, ndërsa vendi, sipas saj, vazhdon të mbetet pa institucione të konsoliduara.