
Raporti: Gresa Bardhecaj
Kanë kaluar 24 vite prej kur Adem Zogjani nuk di asgjë për vëllanë e tij binjak Hysenin. Kjo pasi që pas arrestimit të tij, trupi i Hysenit ishte zhdukur dhe që nga ajo kohë, mallin për të e heq vetëm përmes fotografisë, shkruan Kanalq10.
Erdhën në jetë në të njëjtën kohë, por tash e 24 vjet, vëllanë e tij binjak e sheh vetëm përmes fotografisë.
Që nga qershori i vitit 1998, Adem Zogjani nuk di asgjë për vëllanë e tij, Hysenin, i cili vazhdon të jetë i zhdukur.
Kështu vazhdon të ruaj kujtimet dhe kohën e kaluar bashkë sa ishte gjallë, derisa dhimbja për të është rritur ndër vite.
Ai thotë se vëllanë ia kishin arrestuar me të dalë nga banesa, ku po qëndronin bashkë.
Për gjatë 24 viteve, Ademi thotë nuk ka asnjë informacion dhe se nuk ka reshtur së kërkuari atë.
Derisa, thotë se në ndihmë nuk u kanë dalë as institucionet.
Përveç vëllait binjak, Zogjanit thotë se forcat serbe ia kanë vrarë edhe një vëlla tjetër në burg, derisa, eshtrat e babait, gjithashtu të zhdukur në luftë, i kishte gjetur vite më vonë.
Sikur familja Zogjani, janë edhe shumë familje tjera në Kosovë, të cilat ende nuk dinë asgjë për fatin e më shumë se 1600 personave të zhdukur në luftën e fundit. /Gazeta10