
Raporti: Arbenita Ilazi/Kanal10
Gjatë muajit nëntor pritet të funksionalizohet parkingu nëntokësor i Prishtinës, me 600 vend-parkingje. Ndonëse qytetarët kanë thënë se funksionalizimin e tij e prisnin me padurim, ata janë shprehur të zhgënjyer me çmimoren e parkingut. Sipas tyre, pagesa prej 15 eurove në ditë për parkimin e veturës, e 2 mijë e 500 euro në vit, është shumë e lartë dhe e papërballueshme për ta, shkruan Kanal10.
15 euro për një ditë, e 2 mijë e 500 euro për një vit.
Kaq pritet t’u kushtojë qytetarëve parkimi i veturave në parkingun nëntokësor tek Fakulteti Filologjik në Prishtinë, i cili pritet të finalizohet gjatë këtij muaji.
Ndonëse thonë se funksionalizimin e tij e prisnin me padurim, qytetarët janë shprehur të zhgënjyer, me t’u njoftuar me çmimoren e këtij parkingu.
Ata thonë se përsëri do të duhet të gjejnë alternativa tjera për parkimin e veturave, për shkak se sipas tyre, çmimet në parkingun nëntokësor janë të papërballueshme për ta.
E me çmimoren e parkingut nëntokësor nuk janë pajtuar as asamblistë të Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Prishtinës.
Nga kjo parti kanë thënë se çmimet janë të paarsyeshme dhe nuk përshaten me kushtet e qytetarëve.
Kanal 10 ka provuar të marr një qëndrim edhe nga Komuna e Prishtinës sa i përket ankesave për çmimoren e parkingut, mirëpo të njëjtit nuk kanë kanë kthyer përgjigje.
Kontrata për ndërtimin e parkingut nëntokësor me 600 vend-parkingje ishte nënshkruar në tetor të vitit 2019.
Një orë qëndrimi në këtë parking pritet të kushtojë 1 euro, qëndrimi 12 deri në 24 orë do të kushtojë 15 euro, abonimi javor 90 euro, ai mujor 250 euro, abonimi 6 mujor 1 mijë e 350 euro, ndërsa abonimi vjetor 2 mijë e 500 euro. /Gazeta10