
Gazetari Adrian Çollaku e ka vlerësuar si lajm të mirë vendimin e Qeverisë për themelimin e Grupit Punues për çështjen e apelit në Hagë, me Glauk Konjufcën në krye.
Në një paraqitje në emisionin “Politiko” në Kanal10, Çollaku tha se ky vendim dëshmon vullnet politik të Qeverisë Kurti për të ndërmarrë hapa të mëtejshëm në mbështetje të mbrojtjes së ish-krerëve të UÇK-së.
Ai tha se Qeveria është kritikuar për mungesë të veprimeve të mjaftueshme në këtë drejtim, ndërsa vlerësoi se Konjufca është një figurë që mund të bashkojë palët politike rreth çështjeve me interes të përbashkët.
“Unë e konsideroj si një lajm të mirë dhe kjo tregon që ka vullnet politik. Edhe Konjufca është njeriu i duhur të jetë aty”, u shpreh Çollaku.
Ai shtoi se mbetet të shihet se cilët do të jenë hapat e ardhshëm të Qeverisë, duke theksuar se për këtë çështje nevojiten veprime të mëtejshme dhe jo vetëm miratimi i një ligji./Gazeta10