
Partitë politike ka kohë që kanë nisur një ‘luftë’ politike për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.
Për këtë temë është diskutuar në emisionin ‘Politiko’ me Kushtrim Sadikun në Kanal10.
Gazetari kosovar, Adrian Çollaku ka kritikuar partinë në pushtet për dështim në qeverisje.
Sipas tij, ministrat e Kurtit kanë qenë të dobët në menaxhim dhe nuk i kanë merituar pozitat e ministrave, raporton gazeta10.
“Nuk kanë arritur të bëjë përparim as në shëndetësi, as në arsim, as në ekonomi. E di që kanë bërë përpjekje duke dalë në disa konferenca për media, por nuk kanë pasur ndikim në publik dhe asnjë agjendë të tyre nuk kanë arritur ta shtyjnë përpara”, ka thënë Çollaku.
Tutje ai ka shtuar se me së shumti që e ka dëmtuar Vetëvendosjen dhe Albin Kurtin është vet qeverisja e tij e dobët.
“Sesa për opozitë aq shumë i ka rënë kredibiliteti sa shumë mirë kanë bërë që kanë vazhduar me heshtje. Në këtë situatë Albin Kurtin e kanë dëmtuar njerëzit e tij dhe ministrat e tij të dobët dhe deputetët, ku përjashto katër apo pesë prej tyre, të tjerët nuk e meritojnë t’i mbajnë ato poste”, ka thënë Çollaku. /Gazeta10/