
Të mërkurën “Politiko” me Kushtrim Sadikun është transmetuar ekskluzivisht nga veriu, teksa të ftuar kanë qenë ambasadori britanik Jonathan Hargreaves dhe ambasadori suedez Jonas Westerlund. Ndërkaq të pranishëm kanë qenë edhe politikani serb Aleksander Arsinjeviq si dhe analistët politikë Nexhmedin Spahiu dhe Branislav Kërstiq.
Teksa po ecte me gazetarin Sadiku në sheshin “Car Llazar” drejt urës së Ibrit, ambasadori suedez Jonas Westerlund ka thënë se nuk po sheh investime të reja në veri, megjithatë është shprehur i lumtur që në këtë pjesë janë hapur disa dyqane të reja.
“Më vjen mirë që kemi dyqane të reja, përndryshe nuk po shoh shumë investime në veri”, ka thënë Westerlund.
Westerlund ka bërë të ditur se ka pasur disa takime me politikanët serbë, duke theksuar se gjatë bisedave me ta ka vërejtur interesim për të marrë pjesë në zgjedhjet e nëntë shkurtit.
“Pati interesim për të marrë pjesë në zgjedhje nga disa udhëheqës lokalë me të cilët kam biseduar. Kjo është pozitive”, ka thënë Westerlund.
Ambasadori Westerlund ka shpërfaqur edhe lidhjet e tij me Ballkanin, ndërsa ka ndarë momente kur ai ka punuar për OKB-në në Kosovë.
“Lidhjet që i kam me Ballkanin është se kam ardhur qysh në vitin 1996, duke punuar për OKB-në në veri. Më kujtohet që kam ecur nëpër këtë urë. Më kujtohen edhe rojet e urës dhe serbët e Kosovës me xhaketa lëkure, të cilët më pyesnin se kush jeni ju…”, ka thënë ambasadori suedez.
Westerlund në “Politiko” me Kushtrim Sadikun ka thënë se marrëveshja e Ohrit duhet zbatuar dhe se ende nuk ka normalizim.
“Ende nuk e kemi një zgjidhje, nuk kemi normalizim. E kemi marrëveshjen e Ohrit që do të duhej zbatuar, por është hap drejt një marrëveshjeje përfundimtare. Nuk ka ndjenjë të urgjencës për ta finalizuar këtë. Kur po shikojmë përreth e njëjta gjë që 25 vjet”, ka thënë Westerlund.
Ai ka theksuar se derisa nuk ka marrëveshje me Serbinë, në veriun e Kosovës do të ketë gjithmonë shqetësime të sigurisë.
“Përderisa nuk ka ndonjë marrëveshje për normalizim ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, gjithmonë do të kemi shqetësime të sigurisë. Por përderisa e kemi KFOR-in dhe EULEX-in këtu, nuk shoh kërcënime të menjëhershme në Mitrovicë”, ka thënë ai.
Westerlund ka komentuar edhe arrestimet në veri të Mitrovicës, duke thënë “çfarëdo supozimi për sjellje të pahijshme duhet të hetohet deri në hollësi si në çdo shtet tjetër demokratik”.
Ai ka thënë se serbët në veri duhet të integrohen dhe se kjo duhet të bëhet permes dialogut, teksa ka shprehur shqetësimin se ata po ndihen të braktisur nga Prishtina dhe Beogradi.
“Unë jam mjaft i angazhuar në dialog me Prishtinën për të mbështetur planin e Ahtisarit dhe të drejtat e pakicave në Kosovë”, ka thënë Westerlund.
Tutje, amasadori i Suedisë në Kosovë ka thënë se duhet të ketë edhe dialog lokal, në mënyrë që të ketë pajtim mes shqiptarëve dhe serbëve.
“Duhet që të kemi një afat të fundit dhe një dëshirë të madhe për të pasur normalizim. Por duhet të kemi edhe një dialog lokal, nuk është vetëm dialogu për normalizim por edhe dialogu për pajtim mes serbëve dhe shqiptarëve këtu”, ka thënë Westerlund, i cili ka shtuar se “ka ende një situatë jo qetësie mes grupeve etnike”.
Westerlund ka përmendur gjithashtu çështjen e urës së Ibrit, duke thënë se ura duhet të hapet por në koordinim me të dyja palët.
“Ura e Ibrit duhet të hapet, por çështja qëndron kur dhe si, prandaj duhet të bëhen konsultime me të dy anët e urës, por mendoj që ura duhet të hapet”, ka thënë Westerlund drejtpërdrejt nga ura e Ibrit.
I pyetur se pse nuk ka sanksione për Serbinë, ambasadori suedez ka thënë se kjo pyetje i përket ambasadorit në Beograd, ndërsa ka theksuar se çështja e masave është diskutuar edhe në Bruksel.
“Këto masa janë vënë në qershor të vitit të kaluar vetëm disa ditë pas incidentit në Zveçan. Ka pasur edhe ngjarje të tjera dhe duhet që të balancojmë këto”, ka thënë Westerlund.
Në ndërkohë një shqetësim i është shprehur ambasadorit nga politikani serb Aleksandar Arsenijeviq, i cili ka thënë se Qeveria e Kosovës po bën provokime në pjesën veriore, duke theksuar se nuk po u lejohet që t’i ndërrojnë flamujt.
“Nëse ju duket ky shesh thatë nuk është mirë që është sheshi thatë po i shifni edhe flamujt, nuk na lejojnë që t’i vendosim flamujt e rinj, por nuk na lejojnë as që t’i largojmë.”, ka thënë Arsenijeviq.
Megjithatë një përgjigje nuk e ka marrë nga Westerlund, i cili ka refuzuar të komentojë pretendimin e tij.
“Nuk do të vlerësoj mendimin e tij asesi. Mendoj që është me rëndësi që veriu i Kosovës të integrohet dhe kjo duhet të bëhet në dialog me komunitetin vendor në bazë të planit të Ahtisarit”, ka thënë Westerlund.
Tutje, Westerlund ka folur edhe për situatën në Evropë, teksa ka thënë se po bëjnë çdo gjë për të ndalur agresionin rus.
“Evropa është në një situatë shumë të vështirë momentalisht. Por duhet të bëjmë gjithçka që është e mundur për të ndalur agresionin e Rusisë”, ka thënë ai. /Gazeta10/