Kontaktoni

info@gazeta10.com

Politiko

“Dejona e Mimoza, masha të Kurtit”, debate e tensione në “Politiko”

Gazeta10
16 October 2024 - 17:13

“Është goxha trimëri me marrë barrë me kry punë parlamentare”.

Kështu u shpreh analisti politik, Blerim Gashi në emisionin “Politiko” me Kushtrim Sadikun për komunikimin mes shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lilës dhe ish-shefit të Grupit Parlamentar të Listës Serbe, Sllavko Simiq, të cilin më shumë e quajti si “nevojë” për diskutim për çështje parlamentare.

“Kjo gjuha parlamentare, nevoja për me vepru në kuadër të gjetjes së zgjidhjeve edhe me “dreqin e mallkum”, siç është Lista Serbe i takon ndonjëherë shefes së Grupit Parlamentar sepse ti i shti duart aty ku të tjerët nuk duan t’i shtijnë”, tha Gashi.

Megjithatë një mendim ndryshe e ndanë panelistët e tjerë.

Analisti politik dhe njëherësh gazetari, Halil Matoshi ka thënë se nuk i lë përshtypje biseda e Kusari-Lilës me Simiq, pasi sipas tij, qeveritarët në Kosovë në vazhdimësi kanë pasur komunikim me Listën Serbe.

Sipas Matoshit, më e dëmshme është biseda e koordinatores së Lëvizjes Vetëvendosje, Dejona Mihalit dhe ish-shefit të KEK-ut, Nagip Krasniqit, pasi siç thekoi ai, “Ajo po i mban të gjithë penjtë e sistemit në dorë”.

“Ni përfaqësuese e VV-së ta mban në dorë krejt Kosovën, kur ka dritë e kur ka terr. Kjo është fatale, për këta shqiptarët duhet me u çu në këmbë me hangër në dhëmbë vetveten, mos me flejt 24 orë, e 40 orë, por duhet me u çu në këmbë”, tha Matoshi.

 

Nga ana tjetër, analisti dhe gazetari Viktor Buzhala ka thënë se bisedat mes Simiq dhe Kusari-Lilës nuk përbëjnë shkelje ligjore, porse ato kanë paraqitur hipokrizinë e Lëvizjes Vetëvendosje.

Ai ka thënë se edhe afera “Pronto” edhe bisedat e këtyre të fundit janë përafërisht të njëjta.

“Bisedat mes Kusari-Lilës dhe Simiq kanë paraqitur hipokrizinë e LVV-së, pasi kanë deklaruar se nuk bashkëpunojnë me Listën Serbe, nuk koordinohemi me ta, as nuk bëjmë asgjë me ta, po e kanë bërë tinxa, më mirë është me bërë haptazi”, tha Buzhala.

 

Megjithatë nuk munguan as përplasjet lidhur me këtë çështje.

Derisa komentatorja politike, Fatime Hajdari tha se nuk ka parë diçka të jashtëligjshme në bisedat e publikuara së fundi mes Mihalit dhe Krasniqit, ka qenë Matoshi i cili është drejtuar “A kam qenë unë në prokurori apo Mihali?”

Ndërsa nuk ka munguar as kundërpërgjigja e Hajdarit.

“Në momentin që po flasim nuk ka diçka inkriminuese që zonja ka shku atje. Ajo ka shkuar për ta dëshmuar rolin e saj në ato përgjime”, tha ajo.

Ndërkaq akuza për Qeverinë e Kosovës ka hedhur gazetari serb, Branislav Kërstiq, i cili ka thënë se nacionalizmi dhe serbofobia është zgjuar me këtë qeveri.

Megjithatë, ka qenë analisti politik Blerim Gashi, i cili është përplasur ashpër me Kërstiq, duke i thënë se nëse do të kishte serbofobi, ai nuk do të mund të dilte as në derë të shtëpisë.

“Me pas pasë serbofobi, Bane ti s’kishe guxu me dalë prej derës së shtëpisë, e lë mo ne kryeqytet, e me fol kaq lirshëm”, tha Gashi drejtuar Kërstiqit.

 

E derisa debati kaloi në një pike tjetër kur po diskutohej për tenderët njëburimorë, aty nuk munguan as përplasjet mes panelistëve.

“Tenderët njëburimorë kanë ekzistu prej që është konsistu ky vend. E dyta unë nuk e kuptoj pse duhet me kanë i pavarur drejtori i KEK-ut”, tha Buzhala.

“Po sistemi i Kosovës kështu e ka paraparë bre Buzhalë”, tha Matoshi.

“Jo s’e ka parapa”, u përgjigj Buzhala, i cili postjerash tha se tenderët njëburimorë janë recetë për vjedhje.

Ndërkaq nuk munguan as deklaratat e forta, ishte gazetari serb Kërstiq, i cili tha se Lista Serbe është organizatë kriminale, ndërsa kritika të ashpra u hodhën për Qeverinë e Kosovës ku u tha se “po dalin si kriminela e hajna, teksa po fshihen si minjtë”.

Ndryshe, të martën në emisionin “Politiko” me Kushtrim Sadikun u diskutua për përplasjet politike për përgjimet mes shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lilës dhe ish-shefit të Grupit Parlamentar të Listës Serbe, Sllavko Simiq, e ku të ftuar ishin analistët Blerim Gashi, Halil Matoshi, Branislav Kërstiq, Viktor Buzhala dhe Fatime Hajdari. /Gazeta10/

 

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.