
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë ka bërë të ditur se e ka pritur me shqetësim të madh, vendimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, për procesin e liberalizimit të tregut të energjisë elektrike.
Në njoftimin e DhTIK-së thuhet se ZRrE-ja ka vepruar në heshtje dhe pa asnjë konsultim.
“DhTIK i është drejtuar me një kërkesë, kryesuesit të Bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahut, duke i kërkuar që të shtyjë për të paktën një vit këtë vendim sepse si i tillë, do të ndikoj negativisht në prodhim, eksport, punësim dhe zhvillim ekonomik”.
“Ne kemi pranuar telefonata dhe kërkesa me shkrim nga kompanitë tona anëtare, të cilat kanë shprehur shqetësimin e tyre të madh me këtë hap, andaj vlerësojmë se nuk është momenti i duhur që të ndodh një proces i tillë tani”, thuhet në njoftim.
Ndër tjera, ZRrE-ja shton se hyrja në treg të lirë do të shkaktoj rritje të paparashikueshme të kostove të energjisë dhe do të sjellë sfida serioze për bizneset.
“Aktualisht ZRrE ofron vetëm listën e furnizuesve të licencuar, por nuk ofron një platformë ku do të mund të krahasoheshin çmimet që këta furnizues i ofrojnë”.
“Gjithashtu, për momentin, ZRrE lejon instalimin e paneleve solare deri në 200 kw (do të thotë. një sistem që prodhon rrymë deri në 28000 euro në vit), në vend se ky kufizim të hiqet për bizneset e mëdha”, thuhet në njoftim.
DhTIK-së shton se përkundër që bizneset kanë qenë shumë të fokusuara në kontributin e tyre për të zhvilluar vendin, punësimin dhe rritjen e buxhetit të shtetit përmes taksave, vazhdimi qasjes së marrjes së vendimeve pa asnjë konsultim paraprak, rrezikon të shtyjë ato që të ikin përfundimisht nga Kosova.