
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në Ditën kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore ka thënë se luftimi i këtij krimi është i domosdoshëm, raporton Gazeta10.
Kurti ka thënë se trafikimi i tyre nuk është punë e numrave por ata kanë emra dhe mbiemra.
“Si numra mund të mos duken shumë, por pas këtyre numrave kemi emra e mbiemra, kryesisht fëmijë. Prandaj luftimi i këtij krimi është urgjent e i domosdoshëm”, ka thënë Kurti.
Më tej, ai ka thënë se qeveria është duke u angazhuar maksimalisht në këtë drejtim.
“Eliminimi është i vështirë por angazhimi i qeverisë është që të bëjë përpjekje maksimale në plotësimin e standardeve që kërkohen në fushën e luftimit të trafikimi me qenie njerëzore”, është shprehur Kurti.
Më tej, ai ka thënë se është detyrë e qeverisë që të merret me rrethanat dhe arsyet që e ndikojnë këtë krim.
“Detyrë e jona si qeveri mbetet luftimi e adresimi i arsyeve kryesore të trafikimit, siç janë varfëria, zhvillimi i dobët ekonomik, niveli i ulët i edukimit e vetëdijes”, ka thënë Kurti më tej.
Tutje, ai ka thënë se qeveria ka plane konkrete për të punuar kundër trafikimit me qenie njerëzore.
“Për këtë, si qeveri kemi plane konkrete për investime në ekonomi e në edukim, por edhe mbrojtje e siguri për të gjithë e në veçanti për grupet më të cenueshme”, është shprehur Kurti. / Gazeta10