Gazetari dhe njëherësh analisti politik, Fidan Rama ka thënë se çështja e Kosovës me ardhjen e Trumpit mund të zgjidhet, teksa ka komentuar edhe mundësinë e rikthimit të Grenellit në kabinetin e tij.
Rama ka thënë se ekziston mundësia që Richard Grenell mund ta ketë një rol të rëndësishëm në politikën e jashtme, e sidomos në pjesën e Ballkanit Perëndimor dhe më konkretisht në Kosovë.
“Për Kosovën, me dy vizita të Grenellit e kryn këtë punë”, ka thënë Rama, duke iu referuar Trumpit për çështjen e Kosovës.
Ai nuk ka përjashtuar sfidat që mund t’i vijnë secilës qeveri me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Do të jetë sfidë shumë e madhe e secilës qeveri me e trajtu temën e asociacionit, e cila është një nga temat më të nxehta”, ka thënë Rama.
Por megjithatë një reagim për këtë çështje pati deputeti i VV-së, Enver Dugolli.
“E dëgjova tri herë e përmeni asociacionin. Unë mendoj që asociacioni nuk është temë, temë është marrëveshja e dakordume që po shkelet nga Serbia. Tjetra ti the qe me dy vizita të Grenellit zgjidhet kjo punë, kjo është nënçmim për administratën amerikane”, ka thënë Dugolli.
“Nuk ka kohë Trump me të lut për një detyrë që ti e ke marrë si shtet”, është kundërpërgjigjur Rama.
Megjithatë, Dugolli ka thënë se shpreson se qasja e Trumpit duhet të ndryshojë, pasi sipas tij, Kurti nuk është problemi në këtë mes.
“Unë shpresoj që qasja të ndryshojë sepse z.Kurti nuk është problemi”, ka thënë Dugolli.
“Unë personalisht kam problem me logjikën e juaj. Për qeta jeni tu na marrë në qaf”, ka replikuar Rama. /Gazeta10/