
Raporti: Hana Marteti/Kanal10
Qeveria e Kosovës ka njoftuar se dy projektligjet që kanë nxitur shumë reagime nga nesër do të jenë në dëgjim publik. Projektligji për Pagat dhe ai për Zyrtarët Publikë, sipas kryeministrit Kurti dhe ministrit Sveçla, synon të eliminojë diskriminimin dhe padrejtësitë. Derisa, Kurti e Sveçla kanë folur edhe për çështje të tjera të aktualitetit politik, shkruan Kanal10.
Në kulmin e krizave nga grevat e përgjithshme dhe pas shumë muajsh vonesë, Qeveria e Kosovës ka njoftuar se nga e enjtja do të dalin në dëgjim publik Projektligji për Paga dhe ai për Zyrtarët Publikë.
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se këto dy projektligje janë të domosdoshëm për reformë rrënjësore në administratën publike, përmes së cilave synohet eliminimi i padrejtësive dhe diskriminimit.
Megjithatë, kreu i ekzekutivit ka thënë se aktualisht nuk mund të bëhet e ditur vlera e koeficienteve.
Ndërsa, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë se janë angazhuar me synime për drejtësi, barazi, llogaridhënie dhe transparencë për të gjithë.
Ndërkaq, në prag të shënimit të një vjetorit e gjysmë të Qeverisë së tij, kryeministri Kurti ka thënë se ka kërkuar nga ministrat raporte me 5 të arriturat kryesore.
Kurti ka folur edhe për caktimin e vetes në krye të komisionit ekzekutiv për shëndetësi, duke thënë se nuk po synon zëvendësimin e ministrit Rifat Latifi.
Në këtë konferencë, Kurti ka treguar edhe temat që ka diskutuar me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, me të cilin të martën ka zhvilluar një takim të paparalajmëruar.
Kurti ka thënë se me Ramën kanë diskutuar për sigurinë kibernetike, krizën energjetike si dhe takimin e Procesit të Berlinit që pritet të mbahet në fillim të nëntorit.
Ndërkaq, njëjtë si të martën, Kurti është larguar nga konferenca edhe të mërkurën.
Në këtë konferencë, ministri i Punëve të Brendshme , Xhelal Sveçla ka thënë se janë duke u zhvilluar hetime intensive për grupet e armatosura dhe me uniforma që u shfaqen në veri të vendit mbrëmjen e 31 korrikut, por që ishte i rezervuar dhe nuk dha detaje në interesimin e gazetarëve. /Gazeta10