Ekipi i Kanal 10 në Hagë, Arben Ahmeti, Kushtrim Sadiku e Fidan Rama në një lidhje direkte kanë shpalosur agjendën e plotë të marshit për drejtësi që do të mbahet ditën e fillimit të gjykimit në Hagë dhe kush janë organizatorët kryesorë, raporton Gazeta 10.
Rama duke folur drejpërdrejt në Specialen e Kanal 10 të dielën, ka thënë se “motori kryesor i organizimit të marshit në Hagë është Hektor Beqiri i cili me të vërtetë po bën një punë të jashtëzakonshme dhe ka shumë autobusë që do të vijnë nga shtetet evropiane në Hagë”.
Gazetari Sadiku ka zbuluar ekskluzivisht agjendën e të hënës duke thënë se “aktiviteti do të fillojë në ora 10:00 dhe do të vazhdojë deri në ora 13:00 ku pos pjesës artistike do të ketë edhe fjalime të ndryshme nga ish pjesëtarë të UCK-së, komandantë dhe fëmijë të dëshmorëve”.
Në agjendën e zbuluar nga Sadiku, në mesin e atyre që do të mbajnë fjalime janë gjenerali i njohur shqiptar, dhe pjesë e UÇK-së, Kudusi Lame; Esad Çollaku, veteran i UÇK-së dhe gjeneral shqiptar në ushtrinë kroate; Izmit Nura, ish-pjesëtar i UÇK-së në Kosovë dhe në Maqedoni, veteran i dy luftërave; Arbër Muriqi, ish-pjesëtar i UÇK-së nga batalioni i shqiptaro-amerikanëve “Atlantiku”; Ragip Xhaka, ish i burgosur politik; Bear Berisha, djali i heroit Xhevat Berisha; Xheladin Shala, djali i Shaban Shalës dhe fjalime të tjera. /Gazeta10