
Qeveria e Kosovës ka nisur dje zbatimin e dispozitave të reja të Ligjit për të Huajt dhe Ligjit për Automjetet, që lidhen edhe me qarkullimin dhe regjistrimin e automjeteve me targa të huaja në vend.
Pas mbledhjes së Qeverisë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi në një konferencë për media se institucionet do t’i zbatojnë ligjet duke siguruar që qytetarët të mos pengohen në marrjen e shërbimeve bazike. Ai theksoi se qëllimi i masave është edhe eliminimi i mekanizmave ilegalë që, sipas tij, financohen nga Serbia.
Sipas tij, procesi i zbatimit do të zhvillohet në koordinim me përfaqësuesit ndërkombëtarë, përfshirë edhe të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë–Serbi, si dhe me përfaqësuesit e komunitetit serb në Kosovë.
Ky vendim ka shkaktuar reagime dhe debate të shumta si në Kosovë ashtu edhe në Serbi. Eksperti i sigurisë, Bedri Elezi, gjatë një lidhjeje direkte në emisionin “Gazeta” në Kanal 10, tha se nga aspekti i sigurisë juridike ky veprim institucional ngre disa pikëpyetje.
“Ky vendim ka shkaktuar reagime të shumta dhe debate si në Kosovë ashtu edhe në Serbi. Nga aspekti i sigurisë juridike të këtij veprimi institucional, kemi veprime që ndërlidhen me çështje të sigurisë dhe me zotimet që Kosova ka në zbatimin e marrëveshjeve ndërkombëtare,” tha Elezi.
Ai shtoi se ende nuk është e qartë nëse këto masa kanë lidhje me Marrëveshja e Ohrit, pasi sipas tij institucionet e Kosovës nuk kanë dhënë sqarime të mjaftueshme.
“Nuk e dimë nëse kjo çështje ka të bëjë me Marrëveshjen e Ohrit, sepse deri më tani institucionet e Republikës së Kosovës nuk kanë folur qartë për këtë. Ka mungesë transparence nga institucionet lidhur me këto çështje, të cilat vetë Kurti në atë kohë i kishte quajtur të dëmshme,” theksoi Elezi.