
“Trump, Ratcliffe, Rubio – Çfarë ‘stuhie’ po vjen nga SHBA?” ka qenë tema e së mërkurës në ‘Politiko’ me Kushtrim Sadikun, ku të ftuar kanë qenë komentatorët politikë, Halil Matoshi, Blerim Canaj, Blerim Gashi, Shqipe Pantina dhe Krenar Shala, të cilët kanë diskutuar për emrat e përzgjedhur në administratën e presidentit të ri të SHBA-së, Donald Trump dhe ndikimin që mund ta kenë në Kosovë.
Analisti politik, Blerim Canaj, ka komentuar mospërfshirjen e Richard Grenell si këshilltar në administratën e Trumpit.
Canaj nuk ka përjashtuar mundësinë që Grenell të ketë një post të rëndësishëm në të ardhmen e afërt në Ballkanin Perëndimor.
“Nuk besoj që Grenell do të tërhiqet tërësisht nga lista e ndonjë pozicioni”, ka thënë Canaj.
Sipas tij, e rëndësishme tash e tutje do të jetë qasja e Kosovës me SHBA-në, ngaqë siç tha ai, Kosova e ka humbur shansin briliant me presidentin Biden.
“Do të ketë shumë rëndësi se çfarë qasje e kemi ne në raport me SHBA-në. Shikuar nga ky këndvështrim, shansin më briliante Kosova e ka pasur sa ka qenë Biden”, ka thënë Canaj.
I pyetur se çfarë do të ndodhte nëse rikthimi i Grenell do ta gjente qeverisjen Kurti në mandatin e ardhshëm, Canaj ka thënë se Kosova duhet të frikësohet, ngaqë sipas tij, sherrin po ia sheh vetëm populli kësaj politike dhe jo Kurti.
Nga ana tjetër, komentatorja politike, Shqipe Pantina ka thënë se presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump do t’i ‘ndëshkojë’ bashkëpunëtorët e tij të mëparshëm.
Pantina ka thënë se vëmendja duket se do të jetë në Lindjen e Mesme dhe në konfliktin Ukrainë – Rusi, megjithatë ka theksuar se as Kosova nuk do të jetë larg vëmendjes.
“Në administratën Biden, Kosova nuk e ka pasur vëmendjen e shtuar për shkak se presidenti ka pasur raporte shumë të mira me Kosovën dhe natyrisht ai do të jetë mik i Kosovës, megjithatë administrata dhe presidenti, i cili nuk është thjesht një njëri është institucion, nuk do të thotë se i harton prioritetet në bazë të miqësive apo edhe simpative personale që mund të ketë, por prapë është me rëndësi me pas njerëz atje”, ka thënë Pantina.
Për Richard Grenell, Pantina ka thënë se ka dështuar, pasi nuk ka arritur të zgjidhë çështjen mes Kosovës dhe Serbisë.
“Nëse e analizojmë punën e tij, ai ka pasur një detyrë për të zgjidhur një konflikt mes Kosovës dhe Serbisë, gjë që nuk ka arritur ta bëjë. Pra për synimin tim, ai ka dështuar”, ka thënë Pantina, e cila është kundërshtuar nga Matoshi.
“Marrëveshja është arritur”, ka thënë Matoshi.
“Nuk është zbatuar”, është kundëpërgjigjur Pantina.
“Qysh bre thoni nuk është arritur kur kryeministri i republikës del thotë ‘po’ ne kemi marrëveshje”, ka thënë Matoshi.
Debati për ish të dërguarin e SHBA-së ka vazhduar edhe në mes të Matoshit dhe Gashit, të cilët patën mospajtime për punën dhe ndikimin e tij.
Analisti politik, Blerim Gashi ka thënë se mospërfshirja e Richard Grenell në administratën Trump tregon që presidenti i SHBA-së nuk do që të përfshijë në listen e tij, siç tha ai, persona kontravers.
Megjithatë teksa ka komentuar administratën e presidentit Trump, Gashi nuk ka kursyer as kunjat për opozitën.
Ai ka thënë se opozita në Kosovë nuk i është gëzuar mospërfshirjes së Grenellit në listën e ngushtë të administrates së Trump.
“Do, do këtu në Kosovë goxha iu kanë këput këmbët që s’ke as në tarafin e dytë Grenelli aty se shpresojshin”, ka thënë Gashi.
Tutje, ai ka vazhduar ironitë ndaj opozitës, duke thënë “ia ka këputur këmbët do-dove se shpresonin që po përzgjidhet”.
“Këta s’mun e mujshin Albin vetë, nuk e kishin kapacitetin vetë me u përballu me Albinin e kur ju erdh Trumpi menojshin që tash vjen Grenelli dhe na heq qafesh Kurtin. Tash u rritë shitja e bensedinave prej kur s’u emërua Grenell’.
Këto deklarime kanë hasur në kundërshtim nga gazetari Matoshi.
“Që Richard Grenell është një politikan kontravers nuk e kam asnjë dilemë. Që Grenell sa here folke ia shtojke Albinit dy ose tre përqind asnjë dilemë nuk e kam. Po na jemi qaq kerkushi në hartën politike, saqë s’mund t’i japim ose marrim kredi në SHBA”, ka thënë Matoshi.
Porse ai është kundërshtuar nga Gashi, i cili në debat e sipër i tha Matoshit se edhe ‘ne jemi dikushi’, duke iu referuar Kosovës.
“A po e sheh që kokmi dikushi”, ka thënë Gashi.
“Por kjo nuk do të thotë që të këqyr ty me simpati”, ka thënë Matoshi, duke iu referuar SHBA-ve.
Nga ana tjetër, analisti Krenar Shala ka thënë se Grenell do të emërohet edhe në pozitë më të ulët, por nuk ka përjashtuar përfshirjen e tij të paktën në një post në administratën Trump.
“Mike Waltz e ka emërtuar këshilltar për siguri kombëtare, njeriu më i fuqishëm De Facto në Amerikë, de jure është presidenti. Ky (Grenelli) besoj që për shkak se do të jetë i emëruar në një rang më të ulët, do emërohet më vonë. Tash emërohen njërzit kryesor të administratës, nuk besoj se do jetë njeriu kryesor i administratës, por po do jetë në të”, shtoi ai.
Në ndërkohë një përplasje e fortë ka ndodhur gjithashtu mes Canajt dhe Gashit, teksa po diskutohej për mospërfshirjen e Richard Grenellit në listën e ngushtë të administratës së Donald Trump.
“A e din ku është dallimi mes meje dhe teje, unë nuk ja mbaj zhagun bash hiç kërkujna, unë foli veç çka mendoj”, ka thënë Canaj, teksa debatoi me Krenar Shalën për masat e BE-së ndaj Kosovës.
“Ja man ja man, po se din kërkush që ia mban”, tha Shala.
“Po në momentin që këta ja nisin jo ata dashtën Grenellin, jo s’dashtën ata”, ka thënë Canaj.
“Kush po mundohet me na qit hi syve bre, s’mujshi me na lanë prej gëzimi shyqyr që fitoj Trumpi me na heq qafe Albinin, kjo është evidente, mos u mundo me e përdredh”, ka thënë Gashi.
“A ke ni dikon tu thanë unë a, po mashtroni”, ka thënë Canaj.
Ndryshe, presidenti i zgjedhur Donald Trump ka bërë të ditur se do të emërojë senatorin Marco Rubio në postin e sekretarit të Shtetit në administratën e tij të re ndërsa John Ratcliffe në postin e drejtorit të Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA). /Gazeta10/