Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Familja e policit Bunjaku: Dënimi me vetëm 30 vjet burgim për Maksimoviqin, fyerje për Kosovën

Gazeta10
24 Prill 2026 - 16:41

Arton Bunjaku, familjar i policit të vrarë në sulmin terrorist në Banjskë, Afrim Bunjaku, e ka quajtur fyerje dënimin prej vetëm 30 vjetësh burgim për Dushan Maksimoviqin.

Gjykata Themelore në Prishtinë sot i dënoi me burgim të përjetshëm Blagoje Spasojeviqin dhe Vladimir Toliqin, ndërsa Maksimoviqin me 30 vjet burgim. Sipas familjarit të rreshterit të vrarë, është dashur që të tre të dënohen me burgim të përjetshëm. Ai ka paralajmëruar ankesë për këtë dënim.

“Mund të them që ne ndihemi të fyer dhe dëshpëruar pasi që do të ishte e drejtë që të gjithë të marrin dënimin maksimal, me burgim të përjetshëm dhe jo me 30 vite. Bëj thirrje që sa më parë të përgatitet ankesa drejt panelit që e gjykuan rastin. Kërkoj nga Republika e Kosovës dhe instancat ndërkombëtare që sa më parë të sjellin edhe pjesën tjetër të grupit të paraqiten para drejtësisë, dhe jo më me 30 vite por dënim me burgim të përjetshëm. Ky dënim është fyerje për popullin e Kosovës, për familjen Bunjaku dhe të gjithë ata që janë heronjtë e gjallë që janë në mbrojtje të atdheut”, ka thënë ai për KosovaPress.

Të tre të akuzuarit u dënuan për sulmin terrorist në fshatin Banjskë të Zveçanit që ndodhi më 24 shtator të vitit 2023.

Sipas vendimit ata kanë qenë pjesë e grupit të serbëve, të armatosur rëndë, që fillimisht bllokoi urën në fshat, e më pas sulmoi policët që shkuan në vendngjarje për ta hequr kamionin nga rruga.

Gjatë sulmit të serbëve të armatosur u vra rreshteri Afrim Bunjaku dhe u plagosën dy të tjerë policë. Grupi serb sipas organeve të drejtësisë udhëhiqej nga ish-nënkryetari i Listës Serbe Milan Radoiçiq, i cili gjendet në arrati bashkë me shumicën e të akuzuarve të tjerë.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.