Kontaktoni

info@gazeta10.com

Sport

Federata e Futbollit të Kosovës bën të ditura masat strikte të sigurisë para ndeshjes me Izraelin në “Fadil Vokrri”

Gazeta10
13 November 2026 - 18:07

Federata e Futbollit e Kosovës ka publikuar masat e sigurisë për tifozët që do të jenë të pranishëm në stadiumin “Fadil Vokrri” për ndeshjen Kosovë – Izrael.

Përmes një njoftimi, FFK-ja ka bërë të ditur se për të garantuar sigurinë dhe mbarëvajtjen e ndeshjes, në stadium do të ndalohet futja dhe përdorimi i një sërë sendesh.

Ndër to janë armët e çdo lloji, mjetet e mprehta, mjetet piroteknike, fishekzjarrët, flakadanët, pijet alkoolike, rrezet lazer dhe dronët.

Po ashtu, FFK-ja ka bërë të ditur se nuk do të lejohet futja e pajisjeve të zërimit pa autorizim, banderolave me përmbajtje politike, raciste apo diskriminuese, si dhe çadrave.

Federata ka njoftuar se të gjithë tifozët duhet të kenë me vete një dokument të vlefshëm identifikimi, i cili do t’u kërkohet gjatë hyrjes në stadium.

Tifozëve u është bërë thirrje që të arrijnë sa më herët në stadium, pasi secili prej tyre do t’i nënshtrohet kontrollit të sigurisë në hyrje.

Në njoftim është dhënë edhe një paralajmërim lidhur me parkimin. FFK-ja ka bërë të ditur se shërbimi “Prishtina Parking” nuk do të jetë në funksion gjatë ditës së ndeshjes, duke u kërkuar tifozëve që të planifikojnë paraprakisht parkimin e automjeteve në zona më larg stadiumit, për të shmangur trafikun dhe vonesat.

Në fund, FFK-ja u ka bërë thirrje tifozëve që ta përkrahin Përfaqësuesen e Kosovës me disiplinë dhe respekt.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.