
Analisti politik Fidan Rama, në emisionin “Politiko” në Kanal10, ka analizuar situatën aktuale politike dhe mundësinë e krijimit të institucioneve të reja.
Rama tha se numrat aktualë tregojnë se edhe nëse partitë e tjera do të bashkoheshin, do ta kishin të vështirë formimin e institucioneve. Sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje nuk po ngutet, pasi beson se ka mundësi t’i sigurojë numrat për ta formuar qeverinë e vetme, ngjashëm me situatën e kaluar.
“Po krahasojmë dy situata. Në rrethanat aktuale, për mua është e pritshme që të ndodhë kjo që po shohim. Por nga nesër pozicioni mund të ndryshojë me certifikimin e rezultateve”, ka thënë Rama.
Ai ka theksuar se pas certifikimit të rezultateve fillon afati ligjor prej 30 ditësh për hapat institucionalë, ndërsa më pas pritet të zhvillohen procedurat për konstituimin e Kuvendit.
Sipas Ramës, nëse situata mbetet e njëjtë, pritja e tij është që Vetëvendosje të ndjekë të njëjtën qasje si në dhjetor dhe të tentojë formimin e qeverisë e vetme.
“Nëse kjo nuk realizohet, atëherë mund të shkohet drejt një procesi tjetër zgjedhor”, ka përfunduar Rama.