
Incidenti i sotëm mes kryetarit të Skenderajt, Sami Lushtaku, dhe zëvendësministrit dhe kryetarit të degës së VV-së në Skenderaj, Hysni Mehani, ka nxitur reagime politike.
Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, duke folur në emisionin “Politiko” në Kanal10, tha se deri më tani askush nga PDK nuk është distancuar nga antari i tyre.
“Jemi në një situatë ku po shkojmë drejt fushatës zgjedhore dhe kur sulmohet kandidati në këtë formë, i bie që po sulmohet demokracia. Ne e shohim që kur nuk reagon asnjë zyrtar i lartë i Partisë Demokratike në mënyrë që të jetë kundër dhunës dhe të distancohet nga ajo çfarë ka bërë Sami Lushtaku, tregon shumë për këtë parti, se zyrtarët e saj nuk guxojnë të deklarohen saktë dhe drejt siç duhet,” ka deklaruar Pacolli.
Ngjarja mes Lushtakut dhe Mehanit ka qenë temë e debatit publik gjatë ditës, ndërsa ende nuk ka një version zyrtar të unifikuar për rrethanat e incidentit.