
Babai i talentit kosovar me prejardhje nga Prizreni, Dritan Maqkaj që vendosi t’i bshkohet Kosovës, ka folur ekskluzivisht për Gazeta 10.
Idajet Maqkaj që është edhe agjenti i lojtarit, ka thënë se vendimi për t’iu bashkuar Përfaqësueses së Kosovës nuk ka qenë i vështirë sepse duhet të shërbej si shembull për të tjerët që po largohen.
“Vështirë nuk ka qenë fare duke parë që një pjesë e talentëve po refuzojnë Kosovën për shkaqe të ndryshme. Dikush duhet me hap derën që edhe të tjerët me iu afru Kosovës” ka thënë Maqkaj për Gazeta 10.
Më tej ai ka thënë se pret nga djali i tij paraqitje të mira me Kosovën.
“Nga Dritani pres të punojë shumë dhe të na gëzoj të gjithëve me Kosovën dhe gjithë shqiparët kudo që janë. Ta bëj krenar edhe Vërrinin e Prizrenit prej nga e kemi vendlindjen ” ka thënë ai.
FFK njoftoi se talenti i Eintracht Frankfurtit, Dritan Maqkaj është anëtar i ri i Përfaqësueses së Kosovës.
Futbollisti 18-vjeçar me prejardhje nga Kosova, i lindur në Gjermani, deri më tash ka qenë pjesë e ekipit kombëtar gjerman U18, por tani e tutje ka vendosur t’i mbrojë ngjyrat e vendlindjes së prindërve./Gazeta10