
Presidenti i Real Madridit, Florentino Perez po mendon ende që ta sjellë në “Bernabeu” sulmuesin francez, Kylian Mbappe.
Mediat spanjolle raportojnë se Perez është i gatshëm që ta sakrifikojë sulmuesin brazilian, Vinicius Junior, vetëm për të siguruar transferimin e Mbappes.
Vinicius ka kontratë me Real Madridin deri në vitin 2024 dhe të dyja palët ende nuk kanë arritur asnjë marrëveshje për rinovimin e kontratës, duke lënë kështu çdo gjë hapur për të ardhmen e futbollistit.
Braziliani erdhi te “Los Blancos” në vitin 2018 nga Flamengo, për shumën e 45 milionë eurove.
Vlera aktuale e sulmuesit 22-vjeçar në treg është rreth 120 milionë euro.
Vinicius këtë edicion me fanellën e Real Madridit ka arritur të realizojë 18 gola dhe ka kontribuar me nëntë asistime në 38 ndeshje të luajtura në të gjitha garat.
Ndërkohë, Reali edhe vitin e kaluar ishte afër transferimit të Mbappes me parametra zero, por francezi në momentet e fundit vendosi që të rinovojë kontratën me Paris Saint-Germainin.