Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Gadimja kërkon të ndahet nga Lipjani, nis peticioni për krijimin e komunës së re

Gazeta10
12 August 2026 - 17:26

Iniciatorët e kësaj nisme kanë organizuar një peticion, ndërsa aktualisht po zhvillohet edhe procesi plotësues i nënshkrimeve për pjesëtarët e mërgatës. Peticioni për banorët rezidentë ishte përfunduar rreth një muaj më parë.

Ilir Tasholli, njëri nga iniciatorët, ka bërë të ditur për KosovaPress se deri tani janë mbledhur rreth 1 mijë e 800 nënshkrime, ndërsa synimi është që numri të arrijë në rreth 2 mijë.

“Numri i nënshkrimeve afërsisht deri tani është afruar diku te 2 mijë, apo 1 mijë e 800 e diçka. Pra, pritet që të shkojë aty diku afër 2 mijë nënshkrime. Gadimja ka mbi 5 mijë banorë rezidentë pa mërgatën, ndërsa me mërgatën ka diku rreth 11 mijë banorë”, tha Tasholli.

Ai tha se Gadimja është ndër fshatrat më të mëdha të Lipjanit dhe, sipas tij, i plotëson kriteret ligjore për t’u bërë komunë.

Tasholli bëri të ditur se së shpejti pritet të përfundojë kompletimi i dokumentacionit, i cili më pas do t’i dorëzohet Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal.

Sipas tij, krijimi i komunës së Gadimes do të sillte përfitime të shumta, veçanërisht në zhvillimin ekonomik dhe turizëm.

“Gadimja ka benefite, do t’i përfitonte nga benefite të ndryshme edhe të drejtpërdrejta, për arsye se ka një potencial të zhvillimit të turizmit fantastik, siç e ka shpellën, ka alpet këtu rreth e rrotull. Gadimja i ka të gjitha, e ka tokën bujqësore, i ka pyjet, e ka shpellën, i ka të gjitha këto. E ka edhe daljen në autostradën ‘Arbën Xhaferi’, që shkon për Shkup. Do të ishte me benefit të jashtëzakonshëm që Gadimja të bëhej komunë në vete. Nuk ka as buxhet Lipjani”, tha Tasholli.

 

Ai theksoi se një nga arsyet e kësaj nisme është edhe, sipas tij, mungesa e investimeve të mjaftueshme nga Komuna e Lipjanit.

Mendim të ngjashëm kanë edhe banorë të tjerë të Gadimes.

Arlind Zymeri tha për KosovaPress se fshati i ka shumicën e infrastrukturës së nevojshme për të funksionuar si komunë, ndërsa përmendi edhe disa nevoja që ende mbeten për t’u përmbushur.

Zymeri: Gadimja mund të jetë komunë

“Për mua Gadimja mundet me qenë komunë e veçantë se i ka të gjitha. E ka territorin, e ka shkollën e mesme, shkollën fillore, ambulancën. I mungojnë nga ato një postë edhe një bankë. Të tjerat i ka të gjitha. Në Gadime janë ca gjëra që duhet me u rregulluar ende, siç janë trotuaret, ndriçimi e ca gjëra, ama përafërsisht i plotëson të gjitha”, tha Zymeri.

Ndërsa banori tjetër, Veton Alija, tha se krijimi i një komune të veçantë do ta lehtësonte komunikimin e banorëve me institucionet dhe do të mundësonte ofrimin më të shpejtë të shërbimeve.

Alija: Shërbimet do të kryheshin më shpejt

“Ndoshta mundemi me bërë llaf më kollaj mes vete këtu në Gadime se me shkuar në Lipjan. Më afër i kemi disa sende, kryejmë shërbimin më shpejt kështu. Edhe ndoshta nuk ikin disa sende, vendosim nga Gadimja, besoj”, tha Alija.

KosovaPress ka tentuar gjatë së mërkurës të marrë një qëndrim edhe nga Komuna e Lipjanit lidhur me këtë nismë, por deri në publikimin e artikullit zyrtarët komunalë nuk kanë qenë të qasshëm

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.