
Prokurori i Prokurorisë Speciale, Valdet Gashi, ka dhënë detaje të reja lidhur me hetimin për vrasjen dhe masakrimin e familjes Jashari në Prekaz.
Gashi ka thënë se hetimi, i cili është cilësuar si kompleks dhe sfidues, ka rezultuar me identifikimin e 35 personave që dyshohen se kanë qenë pjesë e strukturave të Policisë Speciale të Serbisë.
Në deklaratën e tij, Gashi ka bërë publike edhe një të dhënë lidhur me Njësinë për Operacione Speciale, duke thënë se atë e ka udhëhequr Milorad Ulemek, i njohur me nofkën “Legija”.
“Po e bëj publike që këtë Njësi për Operacione Speciale e ka udhëhequr Milorad Ulemek ‘Legija’. Ka qenë obligim dhe detyrë, dhe me kërkesën e tij speciale, që ta sulmojë drejtpërdrejt shtëpinë e familjes së Shaban Jasharit”, ka deklaruar prokurori Gashi.
Sipas tij, gjatë hetimit janë siguruar prova materiale dhe personale që kanë mundësuar identifikimin e të dyshuarve dhe përcaktimin e njësive që kanë marrë pjesë në sulm.
Gashi ka thënë se hetimet kanë vërtetuar edhe përdorimin e arsenalit në sulm dhe pasojat e shkaktuara ndaj popullatës civile.