
Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, ka deklaruar se aktakuza lidhur me masakrën në Lagjen Jashari të Prekazit është rezultat i një pune profesionale dhe të bazuar në prova.
Sipas Isufajt, hetimet për këtë rast janë zhvilluar në përputhje me procedurat ligjore, ndërsa provat e mbledhura kanë shërbyer si bazë për ngritjen e aktakuzës.
Ai ka theksuar se trajtimi i rasteve që lidhen me krimet e luftës kërkon profesionalizëm, kujdes dhe analizë të detajuar të të gjitha provave dhe dëshmive.
“Ky është rezultat i punës profesionale, të bazuar në prova dhe në përputhje me ligjin. Tani është në kompetencën e gjykatës që të vlerësojë aktakuzën dhe provat e paraqitura në përputhje me ligjin dhe standardet e një gjykimi të drejtë. Por si Prokurori Speciale, jemi të bindur se në këtë rast është punuar me kujdes të shtuar, me qëllim që pretendimet e ngritura në aktakuzë të provohen para gjykatës. Rëndësia e kësaj aktakuze qëndron edhe në faktin se ajo dëshmon përkushtimin e vazhdueshëm për të trajtuar krimet e luftës dhe për të kërkuar përgjegjësi penale, pavarësisht kompleksitetit të këtyre rasteve dhe kohës së kaluar nga kryerja e këture rasteve,” tha ai.