
Është caktuar data e seancës konstituive, kryesuesi i Seancës Konstitutive, Avni Dehari, ka njoftuar se vazhdimi do të mbahet më 9 shtator, në orën 11:00, pas marrëveshjes së arritur mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së.
Ai ka thënë se pret që deri atëherë marrëveshja të shoqërohet me përgjegjësi konkrete dhe gatishmëri të deputetëve për përmbushjen e detyrimeve kushtetuese.
“Si Kryesues i Seancës Konstitutive e kam parë si një lajm të mirë arritjen e marrëveshjes ndërmjet Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. Edhe pse ende nuk ka qartësi të plotë, nëse ekziston numri i nevojshëm i deputetëve për konstituimin e të gjitha institucioneve, kam vendosur që vazhdimin e Seancës Konstitutive ta thërras më 9 shtator, në orën 11:00. Deri atëherë pres që kjo marrëveshje të shoqërohet me përgjegjësi konkrete dhe me gatishmëri të deputetëve për t’i përmbushur detyrimet e tyre kushtetuese. Kosova nuk ka nevojë për një tjetër zvarritje, as për një tjetër krizë dhe aq më pak për një proces të ri zgjedhor”, ka shkruar Dehari.
Seanca do të shënojë nisjen e procesit të konstituimit të institucioneve të reja, ndërsa në rend dite pritet të jenë pikat që lidhen me përbërjen dhe funksionalizimin e Kuvendit. /Gazeta10