Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Gazeta10 raporton ekskluzivisht për temat e dialogut

Gazeta10
22 August 2022 - 19:58

Raporti: Arteida Molliqaj

Derisa nga Qeveria e Kosovës ende nuk kanë dhënë ndonjë informacion mbi temat e diskutuara në Bruksel, nga burimet ndërkombëtare, Gazeta10 ka mësuar detaje për takimet e fundit ndërmjet Kurtit e Vuçiq. Sipas këtyre burimeve, çështja e targave të automjeteve është tema kryesore, që do të diskutohet edhe në një takim të shpejtë ndërmjet kryenegociatorëve në Bruksel, shkruan Kanal10.

Kosova dhe Serbia mund të jenë afër arritjes së një marrëveshjeje teknike, këto ditë kur pritet të takohen kryenegociatorët e të dyja shteteve, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq.

Gazeta 10 ka mësuar nga burimet ndërkombëtare për elementet e marrëveshjes së mundshme, dhe cilat janë temat që po i ndajnë palët në bisedime.

Një nga temat me emergjente që është shtruar në tavolinën e bisedimeve është çështja e targave, zbatimi i vendimit të qeverisë për reciprocitet kërkohet që të bëhet brenda një afati më të gjatë kohor dhe t’iu lihet më shumë hapësirë serbëve.

Madje, ai konsiderohet edhe në kundërshtim me Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013 dhe Marrëveshjen për Lirinë e Lëvizjes nga 2011 – si pjesë e asaj të 2013.

“Kërkohet që zbatimi i vendimit për targat në veri të bëhet me një afat më të gjatë kohor sepse duhet të kihet parasysh që për veturat me regjistrim të Kosovës duhet edhe patentë shofer të Kosovës. Për të marrë një të tillë duhen shumë dokumente kosovare dhe kjo paraqet vështirësi të madhe për serbët e Kosovës dhe merr kohë”, ka thënë burimi për Gazeta 10. 

Sa i përket Asociacionit, sfidat janë të mëdha. Marrëveshja e nënshkruar në vitin 2013 përmban disa procedura që janë qartësuar më mirë në marrëveshjen e shtator të 2015, të nënshkruar nga Mustafa – Vuçiq.

“Atëherë ishte vendosur dhe nënshkruar që një grup udhëheqës prej pesë serbëve do të emëroheshin për ta shkruar Statutin me kompetencat e Asociacionit. Pas shumë takimeve me organizata ndërkomëbtare si OSBE, OKB, Zyra e BE-së dhe me institucione lokale – Statuti i ishte dorëzuar qeverisë së Kosovës në vitin 2018 por ishte pezulluar nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës. Ky është problemi kryesor. Pra nuk është problem Asociacioni vetvetiu por natyra e kompentecave që duhet të përmbajë”, ka thënë tutje burimi.  

Në fund, burimi ka komentuar edhe përfshirjen amerikane përmes të të Dërguarit të Posaçëm të SHBA-së për Ballkanin, Gabriel Escobar.

“Supozohet që Escobar mund të ketë arritur zgjidhjen e parë në dialog”, ka thënë burimi.

Me 18 gusht, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Vuçiq janë takuar në Bruksel, por pa ndonjë rezultat të prekshëm, derisa shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrel ka thënë se takimet do të vazhdojnë dhe një i tillë mund të caktohet edhe para 1 shatorit. /Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.