
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka reaguar pas tragjedisë së rëndë në fshatin Demiraj, ku humbën jetën dy persona.
Përmes një postimi, Hyseni ka shprehur ngushëllimet e tij dhe të Komunës së Gjilanit për familjarët dhe të afërmit e viktimave, duke e cilësuar ngjarjen si një tragjedi që ka prekur të gjithë qytetarët.
“Sot komuna jonë u trondit nga lajmi i rëndë për humbjen e dy jetëve në fshatin Demiraj. Në këto momente të vështira, ndajmë dhimbjen me familjarët.
Humbja e jetëve në rrethana që ende nuk janë sqaruar në tërësi është një tragjedi që na prek secilin. Në emër të Komunës së Gjilanit, shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjarëve dhe të afërmve të tyre”, ka shkruar Hyseni.
Ai gjithashtu ka kërkuar që organet e rendit dhe të drejtësisë të angazhohen plotësisht për zbardhjen e rrethanave të rastit.
“Presim që organet e rendit dhe të drejtësisë të bëjnë punën e tyre me përkushtim të plotë për zbardhjen e të gjitha rrethanave të këtij rasti”, ka theksuar kryetari i Gjilanit.