Ohri i Maqedonisë së Veriut tashmë si nikoqir është gati të pres në takim kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të shtunën në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian e të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiq tashmë kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre në këtë takim, raporton Gazeta10.
Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, bashkë me emisarin e BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak dhe të dërguarin special të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, do t’i presin Kurtin e Vuçiqin në takime ndaras, para se të zhvillohet takim trepalësh.
Në njoftimin e zyrës së BE-së bëhet e ditur se cikli i takimeve do të nisë nga ora 10:00 e paradites të së shtunës.
Kanal10 përmes një transmetimi special nga ekipi në krye me autorin e emisionit Politiko, figurë e spikatur e televizionit, Kushtrim Sadikun do të sjellin informacionet e fundit për zhvillimet nga Ohri, bashkë edhe me dy komentatorët politik të emisionit Politiko, Halil Matoshi e Blerim Gashi.
Sadiku ka treguar nga Ohri se delegacionit kosovar do t’i bashkohen edhe ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku dhe Andin Hoti, kryesues i Komisionit Qeveritar për të Zhdukurit.
Delegacioni kosovar pritet të shkojë në Ohër me vetura zyrtare, ndërsa ai serb pritet të udhëtojë përmes aeroplanit.
Sadiku ka zbuluar edhe pamje ekskluzive nga Hoteli ku do të vendosen delegacionet e të dyja palëve.
Hoteli ndodhet në afërsi të Shën Naumit dhe është vendi ku mbreti Zogu kishte nënshkruar një marrëveshje të rëndësishme si dhe ishte arritur edhe marrëveshja e Prespesë.
Ai është i vendosur edhe shumë pranë rezidencës presidenciale të Presidentit të Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski.
Për sigurinë e delegacioneve, policia maqedonase do të kujdeset që objekti i Hotelit ku do të vendosen delegacionet fillimisht të jetë tërsisht i bllokuar për mediat.
Kurti e Vuçiqi pritet të diskutojnë për zbatimin e planit të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë.
Në një takim në Bruksel, më 27 shkurt, ata e pranuan në parim përmbajtjen e këtij plani që njihet edhe si Marrëveshje drejt normalizimit.
Para takimeve në Ohër, i dërguari i Departamentit amerikan të Shtetit për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar ka takuar ndaras krerët e shtetit dhe liderët e partive opozitare në vend.
Para takimit trepalësh në Ohër, ai ka intensifikuar edhe deklaratat përkitazi me takimin dhe pritjet.
Escobar ka theksuar se Asociacioni do të bëhet realitet.
“Është në marrëveshjen e Brukselit, në konkluzionet e Këshillit të Evropës. Do të bëhet realitet. Do të ndodhë. Çështja është se vetëm cila qeveri do të jetë ajo që do ta zbatojë. Sa më parë që bëhet, aq më mirë”, deklaroi Escobar për mediat. /Gazeta10