
Gjykata Supreme në Vranjë e ka zhvilluar të enjten një seancë lidhur me dy filmat e aktorit shqiptar dhe producentit të filmave Gani Veseli, premiera e të cilëve është ndaluar në Bujanoc nga Prokuroria e Serbisë.
Bujanoci është komunë në Serbi, ku jetojnë një numër i madh i qytetarëve të nacionalitetit shqiptar, ashtu sikurse në Preshevë dhe Medvegjë, e që të tri komunat njihen edhe si Lugina e Preshevës.
Premiera e filmave “Heshtja vret” dhe “I pabesi”, ishte planifikuar të mbahej më 10 qershor në Qendrën Kulturore në Bujanoc, mirëpo është shtyrë deri në njoftimin e radhës.
Ndalesa ka ardhur pasi policia e ka pranuar një raport anonim se filmat nxisin urrejtje dhe diskriminim, supozime që i hedh poshtë autori.
Gani Veseli i ka thënë Radios Evropa e Lirë se Komisioni serb i Kinematografisë e ka dhënë opinionin e vet se filmi “I pabesi” nuk duhet të transmetohet, sepse nxit urrejtje ndëretnike dhe fetare, derisa logoja e Republikës së Kosovës është urdhëruar që të hiqet nga filmi “Heshtja vret”.
Sa i përket filmit të parë, Vesli ka thënë se ai i ka kërkuar gjykatës që të tregojë në mënyrë më të detajuar se si shpërndan urrejtje filmi.
“As gjykata sot nuk ka dashur të marrë vendim, pa qenë e informuar mirë për këtë çështje për filmin, dhe çfarë saktësisht ka ndodhur, ndonëse gjykata e ka parë atë, mirëpo e ka parë pa përkthim dhe është e interesuar në përkthim të filmit në gjuhën serbe, apo në ofrimin e më shumë materialeve”, ka thënë Veseli.
Sa i përket filmit “Heshtja vret”, Veseli ka thënë se është kërkuar që të largohet logoja e Kosovës, dhe që filmi të kategorizohet mbi moshën 16 vjeç.
“Jam pajtuar me kategorizimin +16 në gjykatë, nuk është problem. Mirëpo nuk mund ta heq logon e Kosovës, sepse Kosova është financuese direkte e filmave”, ka thënë ai.
Sipas Veselit, ende nuk është ngritur ndonjë padi, dhe seanca e radhës është caktuar për 4 gusht.
“Aktualisht është sugjeruar që të mos shfaqen filmat, sepse mund të përballem me më shumë pasoja”, ka thënë Gani Veseli.
Më 9 qershor, një ditë para datës kur ishte caktuar të mbahej premiera, Zyra e Prokurorit në Vranjë, e ka realizuar një intervistë informative me drejtorin e Qendrës Kulturore në Bujanoc, Jetmir Ismajlin dhe Gani Veselin.
Në një deklaratë dhënë për Radion Evropa e Lirë, më 12 qershor, Veseli ka thënë se autoritetet kanë insistuar që komisioni shtetëror dhe prokurori t’i shohin filmat, në mënyrë që ta kuptojnë se çfarë është duke ndodhur.
Tema e filmit të parë është momenti kur disa të rinj, gjatë grabitjes, vrasin dajën e tyre dhe vrasja zbulohet pas 20 vjetësh. Ndërsa filmi i dytë, sipas Veselit, flet për një personazh të pasionuar pas armëve dhe për mikun e tij të ngushtë, i cili e denoncon në polici.
“Këta filma janë thjesht të realizuar në Maqedoni të Veriut. Këtu marrin pjesë aktorë nga Kosova, Lugina e Preshevës dhe Maqedonia e Veriut”, ka thënë Veseli.
Filmat janë xhiruar në kuadër të një projekti në vlerë të rreth 40.000 eurove, me mbështetje të Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Serbi, dhe janë financuar nga Qeveria e Kosovës.
Sipas rezultateve të regjistrimit të popullsisë në vitin 2022, në Serbi jetojnë më shumë se 61.000 pjesëtarë të pakicës kombëtare shqiptare.
Prej tyre, numri më i madh i shqiptarëve jetojnë në komunat e Preshevës dhe Bujanocit, më shumë se 56.000. Më pas është komuna e Medvegjës, ku jetojnë rreth 1.000 shqiptarë./rel