
Humanisti Halil Kastrati ka njoftuar për nënshkrimin e marrëveshjes së bashkëfinancimit për ndërtimin e fabrikës për përpunimin e ujit të pijshëm në Kaçanik, një projekt me vlerë rreth 3 milionë euro.
Sipas tij, marrëveshja është arritur në bashkëpunim me Kryetarin e Komunës së Kaçanikut, Sabedin Vishi, dhe konsiderohet një ndër projektet më të rëndësishme për qytetin.
“Ka momente kur nënshkruhen dokumente, e ka momente kur nënshkruhet shpresa”, është shprehur Kastrati, duke theksuar rëndësinë jetike të këtij investimi.
Ai ka bërë të ditur se projekti do të ndikojë drejtpërdrejt në përmirësimin e jetës së qytetarëve, duke siguruar furnizim më të qëndrueshëm me ujë dhe cilësi më të lartë për mijëra banorë të Kaçanikut.
“Uji nuk është luks. Uji është e drejtë themelore dhe nevojë jetike”, ka deklaruar ai.
Kastrati gjithashtu ka theksuar se investimet në ujë janë investime të drejtpërdrejta në shëndetin dhe mirëqenien e qytetarëve, duke shtuar se projekte të tilla prekin çdo familje dhe çdo brez.
Në fund, ai ka shprehur mirënjohje për të gjithë kontribuuesit, duke thënë: “Bamirës, Zoti kurrë mos ju humbtë!”./Gazeta10