
Kryetari i Aleances për Ardhmërine e Kosovës, Ramush Haradinaj ka përkujtuar masakrën nga regjimi serb ndaj shqiptarëve në burgun e Dubravës që kishte ndodhur nga 19 maji deri më 22 maj 1999.
Haradinaj tha se kjo masakër tregoi qëllimin e regjimit serb, për spastrim etnik ndaj shqiptarëve, shkruan Gazeta10.
‘’Masakra e Dubravës shpërfaqi qartë mendësinë gjenocidale të shtetit serb, ku si synim kryesor kishte zhdukjen e qenies shqiptare, përmes spastrimit etnik, masakrave kudo në Kosovë e dëbimin me dhunë të më shumë se të gjysmës së popullatës nga trojet e tyre. Edhe pse këto masakra janë mirë të dokumentuara, ende askush nuk është përballur me drejtësinë. Shteti serb, edhe më tutje refuzon të pranojë të vërtetën dhe të përgjigjet për krimet e kryera, e ne nuk duhet të ndalemi në betejën tonë për zbardhjen e të vërtetës. Liria dhe shteti që e kemi sot, janë rezultat i një çmimi shumë të lartë.’’, thuhet në njoftim.
Ai ka thënë se sakrifica e të rënëve mbetët motivim për angazhim të gjithëve për ta dashur atdheun e për ta zhvilluar shtetin ashtu siç ëndërruan të rënët për liri./Gazeta10