Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka publikuar një foto nga takimi i djeshëm me dy diplomatët e ShBA-së, raporton Gazeta10.
Haradinaj së bashku me krerët e tjerë të opozitës ka takuar mbrëmë Ambasadorin amerikan Jeffrey M. Hovenier si dhe të dërguarin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Ata kanë diskutuar për tensionet në veri si dhe gjetjen e rrugëve për zbatimin e ligjit në veri të Kosovës.
Këtu keni postimin e plotë:
“Gjatë darkës në rezidencën e Ambasadorit amerikan Jeffrey M. Hovenier, me të dërguarin e posaçëm për dialogun z. Gabriel Escobar, Ndihmës Asistent i Sekretarit të Shtetit, zhvilluam një diskutim të frytshëm për gjetjen e zgjidhjeve rreth zbatimit të sundimit të ligjit në veri të Kosovës. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë aleat dhe mik i besueshëm dhe së bashku do ta ruajmë paqen dhe sigurinë”, ka shkruar Haradinaj në llogarinë e tij në Facebook.
Ky takim është zhvilluar pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, nuk kanë gjetur ndonjë zgjidhje kompromisi javën e kaluar në Bruksel për çështjen e targave dhe dokumenteve të kalimit.
Qeveria e Kosovës ka paralajamëruar se më 1 shtator do të fillojnë zbatimin e masave të reciprocitetit. Kujtojmë se para një muaji, kjo temë ka nxitur tensione dhe destabilizim në veriun e Kosovës.