
Avokati dhe ish-gjyqtari i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), Hasan Shala, ka vlerësuar se Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) është dëmtuar nga udhëheqja e deritanishme dhe nga zhvillimet e brendshme në parti.
Në emisionin “Gazeta” në Kanal10, Shala tha se, sipas tij, zgjidhja më e mirë për LDK-në do të ishte që kryetari aktual, Lumir Abdixhiku, të tërhiqej nga drejtimi i partisë dhe t’ia linte udhëheqjen një figure të re, duke theksuar se kjo nuk nënkupton largim nga LDK-ja.
Ai deklaroi se Abdixhiku ka pësuar tri ose katër humbje politike dhe se kjo, sipas tij, tregon nevojën për ndryshim në krye të partisë.
Shala kritikoi gjithashtu edhe Vjosa Osmanin, duke thënë se ajo, së bashku me Lumir Abdixhikun, e kanë dëmtuar LDK-në. Sipas tij, disa figura politike kanë vepruar më shumë për interesa personale sesa për interesin e partisë.