
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka komentuar raportimin e djeshëm të kryeministrit të vendit, Albin Kurti, i cili foli para deputetëve të Kuvendit për përmbajtjen e draft statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe që u propozua nga blloku evropian në takimin e 26 tetorit në Bruksel.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Haziri tha se dikur LDK-ja e ka detyruar presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, që të nënshkruajë, teksa ka thënë se Kurti nuk po mundet ta bëjë një gjë të tillë.
Kjo pasi sipas Hazirit, Kurti ka shkaktuar marrëveshje të përkohshme dhe e ka amnistuar Vuçiqin.
“Nga debati parlamentar kryeministri Kurti konfirmoi se për të është me rëndësi VV dhe jo Republika. Sa për informatë, partia instuticionale LDK është siguruar me Gjykaten Kushtetuese dhe letrën garantuese të ish të dërguares së posaçme të BE-së për dialogun, Frederica Mogherinit, e cila ka garantuar sovanitetin dhe rendin kushtetues të Kosovës e duke detyruar Vuçiqin të nënshkruaj, por që Kurti s’po mundet. A e dini pse?Sepse ka shkaktuar marrëveshje të përkoshme dhe ka amnistuar Vuçiqin nga detyrimi për pranim de jure të Republikës së Kosovës, ndërkaq krekoset për njohje de fakto”, shkroi ai.
Haziri tha se Kurti ka tradhtuar vetveten dhe besimtarët e tij.
“Kryeminstri i VV-së nuk ka tradhtuar BE-në, ndoshta as Europën dhe as shqiptarët kudo që janë. Kurti ka tradhtuar besimtarët e majtë të VV-së, e ka tradhtuar vetvetën dhe do besimtarë që vetën e quajnë “guximtarë”, të cilët, po ashtu, kanë guxu me e tradhtu vetën e tyre, duke besuar që po ia bëjnë këtë LDK-së. LDK janë lojalista dhe mbeten instuticionilista përjetë. Per ne, de fakto Pavarësia e Kosovës ka ndodhur me 2 korrik 1990! Të gjitha proceset pas saj janë procese për njohje de jure. Je i vetmi që tradhtove kauzën tuaj, besimtarët tuaj të VV-së,vpartnerët tuaj azgana dhe veten tuaj. Albin Kurti kryeminstër e tradhtoi Albin Kurtin opozitar!”, shkroi më tej ai.