Kontaktoni

info@gazeta10.com

10 LIVE

“Heshtja e madhe” për pronën pa leje të spitalit amerikan (VIDEO)

Gazeta10
02 November 2023 - 20:09

Raporti: Egzona Shala

Tash e rreth tetë vite, Spitali Amerikan që funksionon brenda oborrit të Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës, operon pa leje të shfrytëzimit të kësaj prone.

Komuna e Prishtinës në vitin 2005, këtij spitali privat ia kishte dhënë në shfrytëzim pronën, për një periudhë 10-vjeçare, me mundësi vazhdimi.

Por, nga viti 2015, kur edhe kishte përfunduar kontrata, Spitalit Amerikan nuk i është vazhduar leja e shfrytëzimit.

Madje, një gjë të tillë është konfirmuar nga komuna e Prishtinës, e cila përmes një përgjigje me shkrim, i është referuar vetëm kontratës së parë të nënshkruar në vitin 2005.

“Sipas kërkesës për qasje në dokumente publike, me anë të së cilës keni kërkuar kontratën për Spitalin Amerikan, ju njoftojmë se pas hulumtimit në arkivin e Drejtorisë së Pronës, nuk është gjetur dokumentacioni i kërkuar përveç kopjes së kontratës të vitit 2005, të cilën e gjeni të bashkëngjitur në këtë e-mail”, kanë thënë Arlinda Kastrati nga zyra e komunikimit në Komunën e Prishtinës

Sipas kontratës së vitit 2005, palët kontraktuese janë pajtuar që kohëzgjatja e shfrytëzimit të jetë 10 vjet dhe pas këtij afati mund të ketë mundësi të vazhdimit. (Neni 2, pika 2.1)

Spitali Amerikan nuk ka pranuar të deklarohet lidhur me rastin me asnjë formë të komunikimit, me ç’rast televizioni ka pritur për javë të tëra një përgjigje.

Pas pak minutave, me urdhrin e udhëheqësve të këtij institucioni, nga sigurimi ekipit i është kërkuar që të largohet nga hapësirat e spitalit dhe që të fshihen të gjitha filmimet.

Përveç sigurimit, para ekipit të televizionit është prezantuar zyrtari i Burimeve Njerëzore, i cili tha se spitali paguan qira për këtë objekt, por duke mos ofruar kontratën për shfrytëzimin e pronës.

Për këtë, ai ka kërkuar që t’i jepet kohë dhe se atë do ta dërgonte, duke ia bashkëngjitur edhe një përgjigje me shkrim.

Por, pavarësisht premtimeve dhe pritjeve, Spitali Amerikan nuk ka kthyer përgjigje lidhur me pyetjet e Kanal10.

Ish-qeverisja e Prishtinës për rastit e Spitalin Amerikan kishte ushtruar kallëzim penal në Prokurorinë e Shtetit, por ajo e kishte hedhur poshtë këtë kallëzim penal dhe në pyetjet e dërguara nga televizioni, ky institucion nuk ka kthyer përgjigje.

Për inicimin e kallëzimin penal, nga Komuna e Prishtinës janë përgjigjur shkurtimisht, duke thënë se në arkivin komunal nuk kanë të evidentuar një dokument të tillë..

“Ne kemi kërkuar në arkivin tonë dhe konstatojmë se Zyra Ligjore nuk posedon dokumentacion të tillë”, kanë thënë Arlinda Kastrati nga zyra e komunikimit në Komunën e Prishtinës

Ndryshe, në vitin 2019, Shpend Ahmeti kishte deklaruar se toka ku ndodhet Spitali Amerikan është pa kontratë dhe se ai nuk do t’ia vazhdonte atë.

Televizioni ka provuar të marrë një përgjigje nga ish-kryetari Ahmeti, por ai ka qenë i paqasshëm për ditë të tëra.

Për dallim nga mungesa e lejes për shfrytëzim të tokës, Ministria e Shëndetësisë i ka dhënë leje për operim, megjithëse në dy e-maile të ndryshme kanë dhënë dy afate, në njërën që thuhet se përfundon në vitin 2026, e në tjetrën në vitin 2027.

“Licenca e institucionit shëndetësor Spitali i Përgjithshëm “American Hospital” për kohën për të cilën po interesoheni është skaduar dhe jo valide, nga 20.01.2022 ju është vazhduar ripërtritja dhe posedon licencë valide deri më 19.01.2027”, ka thënë Ministria e Shëndetësisë

Ndryshe, kontrata e shfrytëzimit të tokës ishte nënshkruar nga qiramarrësi Fatmir Dalladaku dhe Komuna e Prishtinës, si një spital i kardiokirurgjisë, ku përmes kësaj kontrate në vitin e parë të punës çdo muaj parashiheshin të kryhen dy operacione pa pagesë, ndërsa në vitin e dytë çdo javë pa pagesë.

Çmimi i shërbimeve kardiake, sipas kontratës, ishte paraparë të jetë 5% më ulët se çmimet për shërbime të ngjashme dhe disa benefite të tjera të cilat ishin të përfshira në këtë kontratë.

Por, asnjëherë as këto shërbime nuk janë realizuar sipas kontratës dhe askush nuk ka dhënë përgjigje lidhur me një gjë të tillë.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.