
Sot, në Nyon të Zvicrës është hedhur shorti i “Final Four” i Ligës së Kombeve, me ç’rast Kroacia, Italia, Spanja dhe Holanda kanë mësuar kundërshtarët e tyre.
Së pari, “Furia Kuqe” mësoi se do të përballët me “Azzurët”, një takim që pritet të jetë spektakël i vërtetë, duke ditur se këta të fundit munguan në Kampionatin Botëror dhe do të synojnë fitimin e këtij trofeu.
Ndërsa, në anën tjetër, “Tulipanët” do të kenë punë me kroatët, një kundërshtar aspak i lehtë në letër dhe të dyja padyshim se do ta synojnë që të arrijnë finalen.
Gjysmëfinalja e parë është ajo mes Kroacisë dhe Holandës më datë 14 qershor, ndërsa ajo e dytë mes Spanjës dhe Italisë do të luhet më 15 qershor.
Ndeshjet finale të eventit do të zhvillohen në Holandë nga data 14 qershor deri më 18 qershor teksa janë përcaktuar edhe dy qytetet mikpritëse, Enschede dhe Rotterdam (ku edhe do të luhet finalja e madhe).