Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Hill: Koha që barrikadat të hiqen nga ata që i kanë vendosur

Gazeta10
28 December 2022 - 18:06

Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, ka deklaruar se barrikadat e vendosura në veri duhet hequr.

Duke folur në lidhje me vendosjen e barrikadave nga komuniteti serb në veri të Kosovës, Hill theksoi se, sipas serbëve lokalë, vendosja e tyre është bërë në shenjë proteste.

Mirëpo, sipas ambasadorit Hill, ata që i vendosën këto barrikada, duhet edhe t’i heqin tashmë, pasi tha se mesazhi është përcjellur.

“Sa i përket barrikadave, ato janë padyshim një problem. Nga këndvështrimi i komunitetit serb, kjo është një protestë. Dua të them se e kuptuam pse e bënë, dhe se i kemi dëgjuar thirrjet e tyre, por mendoj se ka ardhur koha që njerëzit që i vendosën barrikadat, edhe t’i heqin ato. Shpresoj se ata do të jenë gati për t’i hequr ato barrikada sa më shpejt të jetë e mundur”, tha Hill në një intervistë për Nova.

Për më tepër, Hill tha se mbrojtja e të drejtave të serbëve në Kosovë është edhe pikësynimi i dialogut.

“Ne i kuptojmë frustrimet e komunitetit serb në Kosovë. E kuptoj se këto frustrime nuk janë shfaqur deri para disa ditësh por që ekzistojnë prej kohësh. Në fund të fundit, komuniteti serb ekziston në Kosovë tash e disa shekuj dhe ata kanë të drejtë të dinë çka i pret në të ardhmen.”

“Dhe pikërisht për këtë po flasim kur flasim për dialog politik – të sigurohemi që komuniteti serb të jetojë në shtëpitë e tyre në Kosovë dhe të ndihet mirë aty”, deklaroi ambasadori Hill.

Kujtojmë se deri tash, në pjesën veriore të Kosovës janë vendosur gjithsej 13 barrikada.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.