
Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se gjatë qeverisjes së Isa Mustafës është nënshkruar Marrëveshja e Stabilizim Asocimit me Bashkimin Evropian që shtron rrugën për integrim drejt BE-së. Hoti thotë se kjo është marrëveshja e parë kontraktuale Kosovë-BE, me status të veçantë për shkak të vendeve mosnjohëse në BE.
Por Hoti thotë se Qeveria Kuti e ka degraduar këtë marrëveshje dhe gjithë procesin integrues të Kosovës, duke ia nënshtruar MSA-në zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit, që sipas ish-kryeministrit Hoti ka nene problematike për rendin kushtetues dhe ligjor të Kosovës.
Hoti kujton se Marrëveshja e Ohrit është bërë me vullnet të lirë e madje Kurti ka insistuar nëpër korridoret e hotelit në Ohër për të marrë nënshkrimin e marrëveshjes. Megjithatë thotë se tashmë kur është shkaktuar dëmi e kur Kosova po vuan nga sanksionet e BE-së, Kurti po kërkon të shkëputet procesi i integrimit evropian të Kosovës nga Marrëveshja e Ohrit.
Deputeti i LDK-së pyet se si gjithë ajo Qeveri, me gjithë këshilltarët e me Presidenten Osmani si juriste, s’kanë arritur ta kuptojnë gropën ku kanë rënë kur është pranuar Marrëveshja e Ohrit. Sipas Hotit, tashmë është normale që BE-ja injoron një kërkesë të tillë të Qeverisë.