
Ish-kryeministri Avdullah Hoti ka deklaruar se inflacioni mesatar në tetor 2022, krahasuar me tetorin 2021, ka arritur në 12.7%, raporton Gazeta10
Ai në një postim në Facebook ka shkruar se rritja e çmimit të mallrave të konsumit ka varfëruar familjet, ndërkohë që Qeveria vazhdon të mos i rrisë pagat, por krenohet me rritjen e të hyrave buxhetore.
“Kjo i ka varfëruar familjet. Qeveria nuk i ka rritur pagat, por krenohet me rritjen e të hyrave buxhetore. Sot janë rreth 700 milionë euro në llogarinë bankare të Qeverisë, e jo në xhepat e qytetarëve përmes uljes së TVSH-së në ushqime dhe në naftë, si dhe heqjes së akcizës në naftë. Këto mjete nuk janë shpenzuar as për projekte kapitale në rrugë e çerdhe, në spitale apo në armatim të ushtrisë. Këto mjete po rrinë në bankë dhe po i zhvlerëson inflacioni”, ka shkruar Hoti.
Hoti ka kritikuar Qeverinë duke i thënë se njerëzit çdo vit nuk ndërtojnë shtëpi e as nuk blejnë banesa, por blejnë çdo ditë ushqim, bukë, vezë, qumësht çmimi i të cilave është ngritur./Gazeta10